E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, ujqërit e uritur mësyjnë qytetin

 

KUKES - Lukunitë e ujqërve të uritur mësyjnë në Kukës duke rrezikuar edhe jetën e njerëzve. Kopetë e tyre janë afruar deri në periferi të qytetit, ndërsa nëpër fshatra kanë copëtuar dhjetëra bagëti. Alarmi i dhënë nga banorët e disa fshatrave vuri në lëvizje shoqatën e gjahtarëve. Ata arritën të vrasin brenda pak orëve një kope me katër ujqër të mëdhenj, të cilët dy ditë më parë i ishin afruar zonave të banuara. Më pas, në shenjë triumfi, gjahtarët i shëtitën nëpër qytet pasi i kishin hipur në një rimorkio. Qytetarë të shumtë kureshtarë ndoqën për disa minuta “paradën” e ujqërve, të cilët me net të tëra i kishin lënë pa gjumë. Lulëzim Lleshi është kryetar i shoqatës së gjahtarëve. “Këto ditë në Kukës janë shtuar kopetë e ujqërve si rezultat i rënies së dëborës. Kafshët e egra kanë zbritur nga lartësitë në kërkim të ushqimit”, pohoi ai. Sipas tij, ditët e fundit kishin ardhur një sërë ankesash nga banorët e fshatrave Kolsh, Përbreg, Bardhoc, Mirin, por sidomos në rrethinat e qytetit të Kukësit. Ujqërit e uritur kanë bërë shumë dëme në bagëti, por rrezikonin edhe banorët.                                                                 j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›