E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova e Mali i Zi vendosin raporte diplomatike

Ministri i jashtëm serb urdhëron tërheqjen e ambasadorit në Podgoricë pas vendimit
Kosova dhe Mali i Zi kanë vendosur raportet diplomatike, por ky vendim ka shkaktuar reagim të ashpër nga ana e Serbisë.
Ministria e Jashtme serbe i ka dërguar një demarsh të ashpër ambasadës malazeze në Beograd, ku thuhet se “vendosja e marrëdhënieve diplomatike e qeverisë së Malit të Zi me Prishtinën e prish stabilitetin rajonal dhe e rëndon vendosjen e marrëdhënieve më të mira të mundshme ndërmjet fqinjëve, që është prioritet i qeverisë së Serbisë”, thuhet në kumtesë, ku nuk jepen hollësi të tjera. Ministria e Jashtme malazeze konfirmoi se ky akt është bërë me shkëmbimin e letrave të ministrave të Jashtëm respektivë, Milan Roqen e Skënder Hyseni.
Në njoftimin e lëshuar me këtë rast thuhet se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë perspektivë për thellim të mëtejshëm.
Një korrespondent i BBC-së në rajon thotë se Podgorica zyrtare e mori këtë vendim me gjithë kundërshtimin e Serbisë dhe parapëlqimin e saj që për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike të pritej të paktën deri në shpalljen e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Pala kosovare ka përshëndetur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe në të njëjtën kohë ka siguruar qeveritarët malazezë se çështja e pozitës kushtetuese të minoritetit malazez në Kosovë do të rregullohet në kuadrin e sistemit juridiko-kushtetues të vendit.
Zemërohet Beogradi
Ministria e Jashtme e Serbisë i ka dërguar notë proteste përfaqësuesit të Malit të Zi në Beograd, për shkak të vendimit të marrë nga Podgorica për ngritjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën. Agjencitë e lajmeve njoftojnë se ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, ka kërkuar tërheqjen urgjente të ambasadorit të Serbisë nga Mali i Zi, për konsultime në Beograd. Vendosja e raporteve diplomatike të qeverisë së Malit të Zi me Prishtinën, cenon stabilitetin e rajonit dhe vështirëson vendosjen e marrëdhënieve të mira mes vendeve fqinje, që është ndër prioritetet e qeverisë së Republikës së Serbisë, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Jashtme në Beograd.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›