E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e Haitit: njerëzit, të zemëruar nga mungesa e ndihmave

Ndërkaq SHBA-ja miraton 100 milionë dollarë si fazë të parë të mbështetjes
Veç tronditjes nga vdekjet dhe dëmtimet e tërmetit në Haiti po shtohet zemërata e njerëzve për vonesën e mbërritjes së ndihmave ndërkombëtare. Ndërkaq, ata që kanë mbërritur, dhe këtu bëhet fjalë për grupet e skuadrat e para të shpëtimit që përbëhen nga mjekë, punëtorë etj., po merren me identifikimin e rasteve të mundshme të të mbijetuarve nën gërmadha. Nëpër rrugët e shkatërruara mbizotërojnë gërmadhat dhe kufomat ende të pavarrosura dhe situata rrezikon që të kthehet në epidemi në rast se varrimet nuk do të kryhen brenda ditëve të ardhshme. Një pjesë e madhe e ndihmave kanë mbërritur, por është e pamundur shpërndarja, për shkak të kushteve të vështira, që do të thotë se ato ende nuk kanë shkuar në duart e më nevojtarëve. Mendohet se ende shumë njerëz ndodhen nën gërmadha në pritje të shpëtimit. Më në fund dje, disa lajme të mira mes mijëra të këqijave. Skuadrat e shpëtimit kanë mundur që të çlirojnë nga gërmadhat 2 fëmijë, një djalë 2-vjeçar që ia kishte dalë të mbijetonte i padëmtuar dhe që iu dha po dje të atit dhe një vajzë 3-vjeçare, e cila edhe ajo ndodhet në gjirin e familjes. Këto janë shenja shprese, se persona të tjerë mund të shpëtojnë në kryeqytetin e rrënuar. Ata janë shpëtuar nga skuadrat spanjolle, të cilat kanë qenë ndër të parat që kanë depërtuar në zonat më problematike. Ndërkaq, mungesa e ushqimit, ujit dhe ilaçeve ka shkaktuar frustracion dhe dëshpërim mes banorëve të pastrehë dhe të tronditur që po luftojnë në çdo orë për të mbijetuar. Një pjesë e patrullave të OKB-së, sipas banorëve, thjesht patrullojnë për të ruajtur qetësinë dhe nuk shpërndajnë ndihma, kur kjo është e një rëndësie parësore. Në disa zona të kryeqytetit banorët në shenjë proteste kanë ndërtuar barrikada me kufomat e të vrarëve. Në kryeqytet brazilianët janë forcat kryesore për ruajtjen e qetësisë në vend dhe ato po përpiqen që të organizojnë sa më mirë shpërndarjen e atyre ndihmave që kanë mbërritur tashmë. Në Uashington, Presidenti Barak Obama njoftoi dhënien e njërës prej ndihmave më të mëdha humanitare nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në historinë e saj moderne. Kjo ndihmë fillon me një paketë 100 milionë dollarëshe. Ndërsa 800 paratrupat e parë kanë mbërritur në vend mbrëmjen e së enjtes dhe ata do të pasohen edhe nga 2000 marinsa. Ndërsa për sa i përket pjesës tjetër të botës, ndihmat kanë qenë shumë të ngadalshme dhe mbërritja e tyre është bërë me shumë vonesë. Kjo, edhe për shkak të logjistikës së dobët dhe tashmë të dëmtuar të vendit. Vetëm të enjten ka pasur 60 fluturime dhe gjatë ditës së djeshme aeroporti është bllokuar për fluturimet civile, duke u lënë vend të lirë vetëm atyre të ndihmave.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›