E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova e pavarur, GJND mund të mos shprehet

Autori i Lajmit: Redaksia
Eksperti i së drejtës ndërkombëtare dhe njohësi i mirë i çështjeve të Evropës Juglindore, Florian Bieber, nga Universiteti Kent në Britaninë e Madhe, në një intervistë dhënë Radio Dukagjinit, ka thënë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të japë mendimin e saj lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, por, sipas tij – “ai vendim nuk do të jetë i qartë”. Bieber ka potencuar se, pasi Gjykata të japë mendimin e saj, procesi i njohjeve të Kosovës do të rifillojë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë gjithsesi do të dalë me një mendim, i cili nuk do të jetë shumë i qartë nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë akt legjitim ose jo, ka thënë Bieber duke komentuar deklaratën e kryetarit të GJND-së, Hisashi Ovada, i cili ka theksuar se ekziston mundësia që kjo gjykatë të mos japë fare mendim rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Bieber ka thënë se do të jetë tejet interesante se çfarë qëndrimi do të mbajë Serbia pasi GJND të shpallë mendimin e saj. “Normalisht që Serbia tani për tani këmbëngul se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, sepse do të ishte vetëvrasje politike dhe e papërshtatshme për politiken e jashtme serbe, po të marrësh parasysh që ata lobojnë në vazhdimësi për mosnjohjen e Kosovës. Por çështja kryesore është kur Gjykata të dalë me mendimin e saj. A do të jetë më lehtë apo më vështirë për Serbinë që të ndjekë të njëjtën politikë ndaj Kosovës”, - tha ai. Ashtu si zyrtarët vendorë, edhe profesori Bieber mendon se procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ka ndikuar në procesin e njohjeve, që sipas tij, do të vijnë në numër më të madh pas mendimit të kësaj gjykate. “Opinioni i GJND-së do të sjellë lehtësira në procesin e njohjeve, dhe mendoj se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të jetë më shumë në të mirë të Kosovës se sa në të mirë të Serbisë. Mendoj se do të ketë përshpejtim të njohjeve. Nuk pres të vijnë njohje në grup në të njëjtën kohë, por besoj se pas mendimit të Gjykatës procesi i njohjeve do të rifillojë”, - ka thënë ai. Bieber ka bërë të ditur se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, nisur nga praktikat e mëhershme, pritet që mendimin e saj për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës ta japë në muajt e parë të vitit të ardhshëm.

Vendet islamike premtojnë mbështetje

Unioni i OJQ-ve të Botës Islamike premton mbështetje për Kosovën. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Valton Beqiri, priti një delegacion të Unionit të OJQ-ve të Botës Islamike, i cili kryesohej nga sekretari i përgjithshëm i këtij unioni, Nexhmi Sadikoglu. Beqiri i falënderoi përfaqësuesit e Unionit të OJQ-ve të Botës Islamike për faktin që ata kanë zgjedhur Prishtinën për organizimin e konferencës së tyre në një kohë kur Kosova pret mbështetje të drejtpërdrejtë për njohjen e shtetësisë së saj nga vendet islamike. Më tutje, ai shtoi se takimet e këtilla mund të shfrytëzohen edhe për intensifikimin dhe thellimin e bashkëpunimit të Kosovës me vendet e botës islamike në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. Ndërkaq, Sadikoglu, tha se Unioni i OJQ-ve të Botës Islamike e ka përzgjedhur jo rastësisht Prishtinën për organizimin e konferencës në një kohë kur Kosova ka nevojë për lobim dhe sensibilizim të botës islamike në funksion të njohjes së pavarësisë së saj.
Ky lajm është publikuar: 24/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›