E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidencialet në Rumani, Basesku dhe Geoana në balotazh

Autori i Lajmit: Redaksia
Vendimi për presidentin e ri rumun merret më 6 dhjetor në balotazhin ndërmjet pushtetmbajtësit Trajan Basesku dhe udhëheqësit të opozitës socialdemokrate Mircea Geoana. Në raundin e parë, të dielën, asnjëri nga kandidatët nuk arriti shumicën e domosdoshme absolute. Sipas rezultateve, Basesku arriti 32,8, Geoana 29,2 për qind. Korrespondentët thonë se Rumania ka kaluar javë të tëra pasigurie politike dhe ka nevojë për një qeveri të re, përpara se Fondi Monetar Ndërkombëtar ti japë asaj një hua shumë miliard dollarëshe. Në zgjedhjet e së dielës, votuesit rumunë morën pjesë edhe në një referendum për të ulur numrin e deputetëve. Tani pritet një luftë e fortë mes dy kandidatëve kryesorë për tre milion vota që shkuan tek kandidatët e tjerë për president. I zgjedhur pesë vjet më parë përmes një fitoreje historike mbi socialistët që dominuan jetën politike në Rumani që prej revolucionit, Trajan Basesku premtoi reforma politike dhe masa të forta kundër korrupsionit. Por oponenca e fortë në parlament i bllokoi të dyja këto përpjekje. Stili i presidentit e ka ndarë Rumaninë në tre kampe. Në një kamp janë ata që janë pro presidentit, në tjetrin ata që janë kundër tij dhe në të tretin ata që kanë humbur besimin tek politika në tërësi.Këto ishin zgjedhjet e para presidenciale në Rumani që kur vendi u anëtarësua në Bashkimin Evropian tre vjet më parë. Rivali më i fortë i presidentit, ish-ambasadori në SHBA dhe ish-ministri i Jashtëm, Mircea Geoana, premtoi një paketë stimuluese për ekonominë. Zgjedhjet pritet ti japin fund krizës politike, e cila erdhi si pasojë e rënies në tetor të qeverisë së qendrës së djathtë të kryesuar nga liberaldemokrati Emil Boc. Që prej asaj kohe, Rumania e goditur nga recesioni ka qënë në duart e një qeverie të përkohshme. FMN-ja e ka vonuar dhënien e ndihmës emergjente, për shkak të mungesës së një qeverie efektive. Analistët thonë se korrupsioni është ende shumë i përhapur në Rumani.
Ky lajm është publikuar: 24/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›