Kosova e pavarur garanci për paqen dhe stabilitetin në rajon
Kryeministri Berisha dhe kryeministri kuvajtian, Sheiku Naser Al Mohammad Al Ahmad Al Jaber Al Sabah, ndër të tjera, diskutuan në takim, lidhur me çështjen e statusit të Kosovës, për të cilën, kryeministri kuvajtian u shpreh se pasi diskutimi të kalojë në Asamblenë e Përgjithshme, vota Kuvajtit do të jetë pozitive.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha ritheksoi qëndrimin e qeverisë shqiptare në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, si zgjidhja e vetme në favor të paqes dhe stabilitetit të rajonit.
Kryeministri theksoi ndër të tjera, se SHBA-të, mbështesin tërësisht dhe plotësisht pavarësinë, si zgjidhja e vetme që jep paqe dhe stabilitet në rajon.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha nënvizoi faktin se vendet e Bashkimit Evropian janë të bashkuara në qëndrimin e tyre, në mbështetje të projektit të Presidenti Ahtisari, si projekti më i mirë për zgjidhje, fakt ky që përbën një provë shumë të rëndësishme jo vetëm për Kosovën, por për mbarë Evropën, dhe të gjithë rajonin.