E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa: Përfshirja e Shqipërisë në fazën e dytë të Programit të Sfidës së Mijëvjeçarit, zhvillim pozitiv për vendin

Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa sot, gjatë një konference për shtyp, përshëndeti ftesën që qeveria shqiptare ka marrë nga Bordi Drejtues i Programit të Sfidës së Mijëvjecarit për të zhvilluar dhe paraqitur më tej projektet e saj, në kuadër të një “Faze të Dytë” të këtij projekti.

Kjo ftesë, u shpreh zoti Oketa, ka ardhur pas mbledhjes së djeshme të Bordit Drejtues të Programit të Sfidës së Mijëvjecarit dhe bazohet në suksesin e Programit të Pragut që po zbatohet prej më shumë se një viti në Shqipëri.

Ndër të tjera, zv/kryeministri Oketa tha:

“Dje u mblodh në Uashington DC Bordi Drejtues i Programit të Sfidës së Mijëvjecarit,  i cili vendosi të ftojë qeverinë shqiptare të zhvillojë dhe të paraqesë një vazhdim të Programit të Pragut në kuadër të një “Faze të Dytë” të këtij projekti.

Ky vazhdim i projektit, siç theksohet në njoftimin e mbledhjes, “bazohet në suksesin e Programit të Pragut që aktualisht po zbatohet prej më shumë se një viti dhe do të mbështesë vazhdimin e përpjekjeve të reformave për të ndihmuar Shqipërinë të bëhet vend Kompakt”. Ky program mund të fillojë menjëherë me përfundimin e programit që është në zbatim, pra pas muajit tetor 2008.

Me këtë rast, qeveria shqiptare dëshiron të shprehë mirënjohjen e thellë për taksapaguesit amerikan, për qeverinë dhe autoritetet amerikane për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë vendit tonë në rrugën e reformave ekonomike, politike e sociale të vendit, për ndërtimin e një ekonomie tregu funksionale dhe një shoqërie të shëndetshme demokratike.

Shprehim gjithashtu vlerësimin maksimal për rezultatet mjaft pozitive të arritura gjatë fazës së parë të zbatimit të Programit të Pragut, që me një financim prej rreth 14 milionë dollarë, bëri të mundur që në vendin tonë të arrihen objektiva mjaft të rëndësishëm të përmirësimit të qeverisjes dhe luftës antikorrupsion.

Me mbështetjen e këtij projekti, u realizua ideja e zvarritur prej vitesh për krijimin e one stop shop për regjistrimim e biznesit; u mundësua jo vetëm shkarkimi on-line të dokumenteve tatimore, por dhe pagesa on-line e taksave dhe tatimeve, si dhe filloi tashme aplikimi në mënyrë pilot i prokurimeve on-line. Me garantimin e suksesit në zbatimin e këtyre tre projekteve, Shqipëria renditet në vendet më të avancuara në këto reforma dhe bëhet padyshim një vend i dhënies së eksperiencës për vendet e tjera.

Qeveria shqiptare, edhe njëherë, shpreh falenderimet e saj për këtë mbështetje dhe siguron se projektet që do të zhvillojë dhe të paraqesë në kuadër të kësaj ftese për Fazën e Dytë të Programit të Pragut, do të kenë si objektiv të tyre thellimin e luftës ndaj korrupsionit, si dhe modernizimin dhe rritjen e eficiencës së qeverisjes së vendit”

Pyetje: Zoti zëvendëskryeministër bëhet fjalë për një ftesë dhe më pas për të përfituar nga programi i Fondit?

Zoti Oketa:  Bordi dje ka analizuar ecurinë e projektit të Pragut të Sfidës së Mijëvjeçarit, e cila është vlerësuar pozitivisht dhe bordi ka vendosur që Shqipëria të paraqesë projektet e saj për vazhdimin e një faze të dytë të këtij projekti.

Duhet të kuptojmë që vetë projekti i Pragut të Sfidës së Mijëvjeçarit në zbatim e sipër, i referohem këtu jo vetëm Shqipërisë por projektit të koorporatës në përgjithësi, rimodelohet, pasi faza e dytë e programit të Sfidës së Mijëvjeçarit, e programit Threshold, nuk ka ekzistuar, por është një risi. Ëshë një fazë që nuk ka ekzistuar, por edhe për shkak të reduktimit të fondeve që i janë bërë vetë koorporatës nga buxheti i qeverisë amerikane, është ndërmarrë një rimodelim.

Vlerësimi pozitiv i ecurisë së projektit në Shqipëri, vlerësim që pata rastin ta marr dhe gjatë vizitës time në Uashington në nëntor të këtij viti, bëri të mundur që Shqipëria të marrë një ftesë për vazhdimin e këtij projekti të suksesshëm.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›