E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen raste të reja të prekurve me virusin e gripit të derrit



Shtohen rastet e dyshuara për prekjen me virusin A/H1N1 në Shqipëri. Instituti i Shëndetit Publik njofton në buletinin e radhës se përveç tetë rasteve të konfirmuara tashmë nga analizat në Rumani, dyshohet edhe për 13 raste të tjera të mundshme. Nga këto, katër raste janë paraqitur me shenja të sëmundjes menjëherë pas kthimit nga Anglia, 8 raste nuk referojnë udhëtime jashtë vendit apo lidhje epidemiologjike që të faktojnë rrugën e infektimit dhe një rast ka qenë kontakt i një rasti të dyshuar.
Sipas ISHP-së, 3 raste janë identifikuar jashtë Tiranës, respektivisht 2 në Vlorë dhe 1 në Sarandë. Sipas mjekëve të gjitha rastet paraqitën një kuadër klinik të lehtë. Shenjat e shfaqura ishin temperaturë më e ulët se 38 gradë celsius, dhembje koke, dhembje fyti, kollë, dhembje muskulare dhe lodhje.
Vetëm dy raste janë shtruar në spital, ndërsa për pesë nga personat e mësipërm ka nisur trajtimi me tamiflu.
Instituti i Shëndetit Publik njofton se mes rasteve të kofirmuara tashmë dhe të dyshuara nuk ka fëmijë. Të gjitha rastet përfshijnë grupmoshat 15 deri në 61 vjeç. Në laboratorin e ISHP-së po analizohen mesatarisht 30 mostra cdo javë. Ndërkohë që në fund të kësaj jave priten përgjigjet e analizave të dëguara në Rumani për 16 mostra, nga të cilat 11 kanë rezultuar me virusin A.

7 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›