Prifti: Niveli i ujit në hidrocentrale po bie, të gjitha strukturat në gatishmëri
Nga hidrocentrali i Fierzës po shkarkohet 650 metër kub ujë në sekondë Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti theksoi se gjatë ditës së djeshme situata në veri të vendit është përmirësuar, për shkak të uljes së prurjeve në kaskadën e Drinit. Kreu i energjetikës, theksoi se gjatë ditës së djeshme niveli i prurjeve në kaskadën e Drinit ka rënë me 2 centimetra në orë, duke theksuar se të gjithë punonjësit dhe ekspertët energjetikë ndodhen në terren për tu ardhur në ndihmë banorëve të zonave të përmbytura.
Nga hidrocentrali i Fierzës po shkarkohet 650 metër kub ujë në sekondë, nga Komani 1100 metër kub në sekondë dhe nga Vau i Dejës 1400 metër kub në sekondë, u shpreh Prifti. Sipas tij situata është nën kontroll. Sipas ministrit Prifti, situata do të vijojë të monitorohet për 24 orë nga specialistët më të mirë energjetikë të vendit, në mënyrë që situata të jetë nën kontroll. Reshjet e rëna në 24 orët e fundit duket se për ministrinë e energjetikës nuk e kanë përkeqësuar situatën hidrike. Gjatë orëve të para të ditës së shtunë, zyrtarë të ministrisë pohuan se shkarkimet dhe prurjet e ujit në HEC-e kanë një tendencë ulje. Megjithatë hidrocentrali i Fierzës, mbetet në një kuotë të lartë, mbi 292 metra. Sipas ministrit Prifti të tre hidrocentralet po punojnë me kapacitet maksimal dhe nga të tre po shkarkohen sasi të mëdha uji. Gjithashtu ai theksoi se gjatë ditës së djeshme Fierza ka një kuotë prej 292.4 metër, ndërkohë që kuota maksimale është 296metra. Ndërsa ka theksuar se gjatë ditëve të fundit banorët e zonave të përmbytura po ju vijnë në ndihmë specialistëve duke pranuar që të evakuohen. Gjithashtu ministri Prifti theksoi se edhe pse në ditët në vazhdim pritet që të ketë shira të tjera situata nuk do të përkeqësohet. Ai theksoi se problemi më i madh ishin reshjet e dëborës, të cilat kanë shkrirë, duke shtuar se reshjet e shiut janë mëse të përballueshme. Ministri Priftit garantoi se falë menaxhimit që po i bëhet kaskadës së Drinit dhe pritshmërisë së reshjeve, situata hidrike pritet të përmirësohet nga fillimi i javës së ardhshme. Kreu i METE, falënderoi gjithashtu të gjithë aleatët e vendit tonë, të cilët na janë gjendur pranë në këto momente të vështira, të cilët përveç anës morale kanë dhënë dhe kontribute në mjete dhe materiale, shumë të domosdoshme për të përballuar situatën hidrike në vend. Gjithashtu ministri Prifti nuk la pa falënderuar dhe përkushtimin e të gjithë specialistëve të energjetikës, të cilët gjatë ditëve të fundit kanë qenë në krye të detyrës, duke dhënë kontributet e tyre për të kaluar situatën. Ndër të tjera ministri i energjetikës u shpreh edhe një herë se gjatë ditëve të fundit është rritur niveli i eksportit të energjisë elektrike. Gjatë ditëve të fundit ne e kemi rritur nivelin e eksportit të energjisë elektrike, duke bërë kështu që niveli i eksportit të jenë niveli më i lartë në historinë e KESH, u shpreh kreu i METE. Ndërsa theksoi se një pjesë e shumës që do të përfitohet nga eksporti do të përdoret për të dëmshpërblyer banorët e zonave të përmbytura, pas përfundimi të plotë të situatës. Ndërsa premtoi se qeveris shqiptare dhe Ministria e Ekonomisë, do të vazhdojnë evakuimin e banorëve që kanë ngelur, pavarësisht se situata nuk pritet të përkeqësohet. Në përfundim të fjalës së tij kreu i energjetikës, tha se situatë në ditët në vazhdim do të mbikëqyret dhe nga specialistët italianë, të cilët do të ndihmojnë dhe në rindërtimin e argjinaturave të dëmtuara. Ministri Prifti theksoi gjithashtu se METE do ë informojë çdo orë qytetarët shqiptarë në lidhje me ecurinë e punës së ekspertëve në terren. Ai njoftoi se të gjithë qytetarët shqiptarë do të njoftohen për çdo përmirësim ose përkeqësim të situatës.Taulant Halili
Last Updated on E Shtune, 09 Janar 2010 21:25