E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova është e pavarur, kjo nuk zhbëhet

Tiranë, 30 gusht – Klubi Kombëtar Shqiptar, me seli në Tiranë, përmes një deklarate të shpërndarë medieve, ka shfaqur shqetësimet për përpjekjet e kohëve të fundit për t’i imponuar udhëheqësisë së Republikës së Kosovës rihapjen e bisedimeve rreth statusit të Kosovës nëpërmjet lëshimeve shtesë ndaj Republikës së Serbisë.
Në Deklaratë rikujtohen shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, fakti se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka krijuar sistemin më të avancuar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve pakicë në të gjithë hapësirën evropiane dhe më gjerë, pastaj Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, që nuk lënë hapësirë për ridiskutim të statusit të këtij vendi. Ky Klub, po ashtu duke shprehur mirënjohjen ndaj SHBA-ve dhe aleatëve perëndimorë që po e asistojnë Kosovën në  procesin e shtet-ndërtimit dhe në përpjekjet e saja për të krijuar shtet funksional, multietnik dhe demokratik, rithekson se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe tërësia
territoriale e Kosovës do të mbrohet me çdo mjet nga shqiptarët kudo që ata jetojnë
Klubi shpreh kundërshtimin ndaj çdo lloj bisedimesh të imponuara, që nuk marrin
parasysh pavarësinë e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur,   që cenojnë në çfarëdo mënyre tërësinë territorial të shtetit të Kosovës dhe që shkelin Kushtetutën dhe legjislacionin e miratuar në pajtim me të.

Ai hedh poshtë idetë e kohëve të fundit për avancim të mëtejshëm të statusit të komunitetit serb të Kosovës duke shkelur dispozitat kushtetuese dhe duke i ofruar Serbisë pjesë të territorit të Kosovës. Njëherësh përmes kësaj Deklarate Klubi Kombëtar Shqiptar refuzo çdo lloj përpjekje për të shpërblyer spastrimin etnik të shqiptarëve në komunat e Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan si dhe në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës me shkëputje territoriale, ashtu siç është shpërblyer gjenocidi serb në Bosnjë me krijimin e
Republikës Serbe të Bosnjës.

Pasi kërkon nga autoritetet e zgjedhura dhe klasa politike e Kosovës t’iu përmbahen me përpikëri angazhimeve të marra përsipër më shpalljen e pavarësisë së Kosovës, Klubi
I bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të ushtrojë ndikimin e tij mbi Republikën e Serbisë për ndërprerjen e provokimit të dhunës në komunat veriore të Kosovës dhe të marrë përsipër përgjegjësitë për vendosjen e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës. Po ashtu i bën thirrje KFOR-it që të përmbushë misionin e tij për garantimin
e sigurisë në të gjithë territorin e Kosovës. Nga EULEX-i Klubi kërkon  të zbatojë detyrat e veta për vendosjen e sundimit të ligjit pa diskriminim dhe standarde të dyfishta për komunitet e ndryshme.
“I bëjmë thirrje udhëheqësve politikë shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Preshevës dhe Malit të Zi për bashkërendim të veprimeve në kundërshtimin e çdo ideje që cenon tërësinë territorial të Kosovës; Gjithashtu i bëjmë thirrje organizatave studentore, intelektuale, profesionale si dhe shoqatat e veteranëve të dala nga luftërat për liri dhe barazi të popullit shqiptar  si dhe mbarë kombit shqiptar që të bashkohen me qëndrimin tonë, ta mbështesin në mënyrë aktive këtë deklaratë, dhe të mobilizohen për të ndaluar çdo tryezë bisedimesh që kërcënon pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Kosovës”, thuhet në Deklaratën e Kryesisë së Klubit Kombëtar Shqiptar, të nënshkruar nga Lisandër Saraçi, Gentian Sala, Enis Sulstarova, Gentian Kapllani  dhe Adri Nurellari.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›