Dy të dehur terrorizojnë klientët e një buzuku
Të shtënat e armëve kanë terrorizuar klientët e njërit nga lokalet e natës në qytetin e Durrësit. Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar dhe ndërhyrja e shpejtë e policisë ka bërë të mundur prangosjen e sherrxhinjve të armatosur dhe të dehur, pa mundur të largohen nga vendi i ngjarjes. Burime zyrtare bëjnë të ditur se në orët e para të së enjtes, uniformat blu të policisë së Durrësit kanë arrestuar në flagrancë dy 37-vjeçarë, banorë të lagjes nr. 1 të qytetit bregdetar. Duke iu referuar të njëjtave burime mësohet se të arrestuarit janë Skënder Laçi dhe Florian Luca. Në gjendje të dehur dy shokët kanë reaguar në mënyrë kriminale ndaj refuzimit të rojës së lokalit për t‘u futur në ambientet e "Buzuk Kokongos" që ndodhet afër Gjykatës së Durrësit, në lagjen 11. Laçi dhe Luca kanë dashur të hyjnë në Buzuk dhe kur nuk janë lejuar nga punonjësi i shërbimit kanë debatuar ashpër me të. Pas refuzimit të rojës, Skënder Laçi ka nxjerrë një pistoletë të tipit "Zaztava" që e mbante me vete dhe së bashku me Florian Lucën ka hyrë me forcë në ambientet e brendshme të lokalit. Në lokal ka pasur klientë, të cilët kanë shtangur kur janë vënë përballë një situate të tillë. Laçi ka nisur të qëllojë kuturu në drejtim të banakut dhe pjesëtarëve të orkestrës. Nga të shtënat raportohet se nuk ka pasur dëmtime në njerëz. Ndërkohë, është njoftuar nga personeli i lokalit salla operative e policisë dhe shërbimet e rendit kanë arritur të ndalojnë autorët, të cilët nuk kanë mundur dot të largoheshin nga vendngjarja. Ndërkaq, është bllokuar pistoleta dhe 5 gëzhoja. Ndaj të arrestuarve është ngritur akuza e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë dhe kryer në bashkëpunim, si dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake.