E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova heq festën e 28 nëntorit

Qeveria e Kosovës ka miratuar dje projektligjin për festat zyrtare të Republikës së re, 11 të tilla, duke lënë jashtë kornizës festive 28 Nëntorin, dita e flamurit kombëtar shqiptar. 

Në projektligjin e ri të Kosovës nuk është parashikuar as Dita e Çlirimit. Kryeministri Thaçi ka renditur 11 festat shtetërore që janë: Dita e shpalljes së pavarësisë - 17 shkurti, Dita e miratimit të Kushtetutës - (parashikohet 15 qershori), Dita ndërkombëtare e Punës - 1 Maji, Dita e Evropës - 9 maji, Festa e Bajramit të Madh, ajo e Bajramit të Vogël, Krishtlindjet - 25 dhjetor, Krishtlindjet ortodokse - 6 janar, Pashkët katolike dhe ortodokse, ndërsa dita e flamurit dhe dita e Çlirimit të Kosovës nuk janë përmendur, por nuk do të jenë më ato kombëtare shqiptare siç janë festuar deri tani në Kosovë, por parashikohet të jetë 11 dhe 12 qershori. Thaçi e ka argumentuar eliminimin e Ditës së Flamurit dhe të Çlirimit shqiptar si festa kombëtare të Kosovës, duke komentuar se Kosova tashmë është shtet i pavarur, sovran, demokratik dhe shumetnik, me territor të garantuar. Kosova është shtet, i ka festat shtetërore, por natyrisht se respektohen edhe festat kombëtare. Miratimi i festave kombëtare ishte një nga pikat e paketës Ahtisari. Ministri i Shërbimeve Publike në Kosovë, Arsim Bajrami tha se ligji përcakton tre lloj festash në Republikën e Kosovës: shtetërore, memoriale dhe festat e nivelit komunal. Sipas ministrit Bajrami, ligji ka rregulluar festat shtetërore, kurse ato memoriale do të përcaktohen nga një komision republikan që do të ngrihet nga qeveria e Kosovës, i cili do të bëjë listën e festave memoriale dhe do të përcaktojë mënyrën e festimit të këtyre festave. Ka mbetur ende pa përcaktuar Dita e dëshmorëve, ndërsa festat komunale do të përcaktohen me akte të mëvetësishme të komunave. Ministri Fatmir Limaj ka kërkuar që në këtë listë të hyjë edhe Dita e çlirimit. Qeveria e Kosovës aprovoi edhe projektligjin “Për kontrollin e kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës”, që adreson çështjet që kanë të bëjnë me organet kompetente të cilat janë të ngarkuara me përgjegjësi për menaxhimin dhe kontrollin e kufirit shtetëror, ndalon kontrabandën e mallrave dhe nuk përmban elemente diskriminuese. Ndërkohë, sot dhe nesër Kuvendi i Kosovës do të miratojë me procedurë të shpejtë edhe gjashtë projektligje që dalin si obligim nga paketa e Ahtisarit.

Hagë, pa prova për trafikun e organeve
Gjykata e Hagës ka raportuar se nuk ka gjetur prova të mjaftueshme që mund të dëshmojnë trafikimin e organeve të 300 serbëve nga Shqipëria dhe Kosova. Zëdhënësja e Gjykatës Ndërkombëtare, Olga Kavran ka konfirmuar se, nuk mund të zhvillohen më hetimet për akuzat e publikuara në librin e kryeprokurores Karla del Ponte. Sipas juristëve dhe hetimeve të bëra, Del Ponte e ka përdorur në mënyrë të qëllimshme postin e saj.

Hyseni: Serbia, Rusia po na pengojnë
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, ka deklaruar se negociatat për statusin politik të Kosovës kanë përfunduar dhe qeveria është e gatshme të bisedojë me të gjithë fqinjët e saj për çështje të interesit të përbashkët, por jo statusin. Sipas tij, Serbia dhe Rusia do të vazhdojnë që të pengojnë proceset në të cilat po kalon Kosova. “Dialogu me komunitetin serb në Kosovë do të jetë i përhershëm, por nuk ka asnjë mundësi të rifillimit të bisedimeve për statusin e Kosovës”, theksoi ai.

Thaçi: Pas 15 qershorit Kosova funksionon e plotë
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi theksoi dje se qeveria e Kosovës beson se pas 15 qershorit, institucionet e saj do të funksionojnë në gjithë territorin me autoritet të plotë shtetëror. “Ne si institucione jemi duke i kryer detyrat që dalin si obligim nga paketa e Ahtisarit dhe duam të besojmë se do të kemi një qendër të vendimmarrjes dhe një adresë civile ndërkombëtare me rolin shumë të respektuar deri më tani të autoriteteve të OKB-së, që ky progres është arritur me një punë të përbashkët”, tha kryeministri Thaçi. “Do t’i bëjmë të gjitha përgatitjet që shteti të jetë funksional dhe i plotë pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës më 15 qershor. E gjithë kjo punë është duke u bërë në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar. Mendoj se faza e tranzicionit është duke ecur mirë dhe në bashkëpunim të plotë. Besojmë se pas 15 qershorit pozicioni ndërkombëtar do të jetë i qartë”, u shpreh Thaçi. Edhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, shpreson në zgjidhjen e situatës pas 15 qershorit. “Gjendja do t’i kthehet normalitetit pas 15 qershorit, kur hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës. Atëherë do të kthehen në veri edhe institucionet kosovare duke bërë të funksionojë ligji”, tha Rexhepi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›