E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tropojë, mjekët në protestë pas dhunës ndaj drejtorit

TROPOJE – Mjekët e Tropojës protestojnë pas dhunës së ushtruar ndaj kolegut dhe drejtorit të spitalit ku punojnë, Petrit Mala. 

Ngjarja e ndodhur mbrëmjen e së enjtes, në ambientet e spitalit të Bajram Currit ka solidarizuar stafin mjekësor të tij kundër dhunës dhe mungesës së kushteve të sigurisë gjatë kryerjes së detyrës. Ata kanë braktisur punën për rreth 1 orë paraditen e djeshme, në shenjë reagimi për dhunën fizike që u ushtrua prej dy të rinjve ndaj Malës. Sipas mjekëve, protesta e tyre, nga ora 10:00 deri në 11:00 do të vazhdojë deri në fund të javës. Për ta është e palogjikshme që gjatë punës, persona të jashtëm të ndërhyjnë, duke arritur deri në keqtrajtimin fizik të tyre, siç ndodhi me rastin e drejtorit. Për këtë ngjarje dy persona janë vënë në pranga, pas ndërhyrjes së menjëhershme të policisë së Tropojës. Mjeku Mala ishte duke kuruar një pacient mbrëmjen e së enjtes, kur vëllezërit Shefqet dhe Naim Lataj i kërkuan të shkonte menjëherë pranë të afërmes së tyre që po lindte. Përgjigjja e mjekut se do të ishte i pranishëm sapo të mbaronte mjekimin që kishte në dorë ka revoltuar dy personat, të cilët e kanë goditur gjinekologun, njëkohësisht drejtorin e spitalit të qytetit. Pasi ka kaluar fundjava dhe mjekët janë mbledhur sërish në mbledhjen e mëngjesit të së hënës, ata kanë vendosur vazhdimin për 1 javë të protestave të tyre. Sipas tyre, përballë mungesës së stafit të specialistëve duhet të shmangen problemet që ndikojnë në ecurinë e punës nga ata mjekë që po qëndrojnë në krye të detyrës për t’u kujdesur për qytetarët e Tropojës.                    j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›