Odisea dhe sirenat tunduese në Durrës
Fjala ka qenë shoqëruese e performancave të saj, që prej fillimit për të përcjellë përveç koleksioneve të reja të veshjeve edhe një mesazh artistik... herë-herë dhe duke prekur ndonjë problem shoqëror, apo duke përkujtuar ndonjë figurë të madhe. "Itaka grua" titullohet shfaqja më e re që ndërthur stilimin e veshjeve, modën, me letërsinë, poetikën dhe pikturën. Bëhet fjalë për spektaklin e radhës së stilistes Merita Toçila, e cila ka vendosur që kësaj here të shfaqë krijimet e saj në Durrës. Ngritur mbi lirikën poetike të Kolec Traboinit, "Itaka grua", ka bërë që stilistja Toçila ka vendosur të thërrasë për ndihmë mitin e lashtë grek të ikjes së njeriut dhe të rikthimit përsëri në atdhe. Ajo sjell Odisenë sipas këndvështrimit të saj, sjell sirenat tunduese e gjithçka tjetër për të aktualizuar me temën e emigrantëve shqiptarë. Ekspozita paraardhëse e stilistes Merita Toçila i kushtohej figurës së Nënë Terezës, ndërsa një tjetër performancë interesante titullohej "Adami dhe Eva", gjatë së cilës stilistja Toçila guxoi për herë të parë të thyente tabutë shqiptare dhe të nxirrte vajza nudo në një sfilatë mode para publikut dhe kamerave. Sfilata vjen me regji të Erjon Becit, skenografi të Zaim Elezit, lirika e Kolec Traboinit, formulimi muzikor Dritan Lumshi dhe zëri Vasjan Lami.