E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova i lejon Tadiçit të vizitojë vendin

Autori i Lajmit: Redaksia
Prishtinë - Kërkesa e presidentit serb, Boris Tadiç, për të vizituar Kosovën, përkatësisht Manastirin e Deçanit, me rastin e Festës Ortodokse të Ujit të Bekuar, ka marrë përgjigje pozitive nga ana e Qeverisë së Kosovës. Zëvendëskryeministri Ramë Manaj konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se vizita e Tadiçit do të lejohet, por me kusht që ajo të mbetet në kuadër të karakterit fetar. “Ai vjen në shtetin e Kosovës dhe ai nuk mund të keqpërdorë qëndrimin e tij për fjalime politike. Këto janë edhe vërejtjet që i janë bërë ICO-së dhe në këtë kontekst, në këto rrethana, në këtë mënyrë i lejohet vizita presidentit të Serbisë”, - tha Manaj. Presidenti serb, Boris Tadiç, ka njoftuar përfaqësuesit e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, se dëshiron të vizitojë Kosovën më 7 janar. Këtë kërkesë, përfaqësuesit evropianë ua kanë përcjellë institucioneve të Kosovës. Zëdhënësja e Përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, Julia Reuter, përmes një deklarate me shkrim, tha se zyrtarët evropianë janë konsultuar ngushtë me Qeverinë në lidhje me vendimin për të lejuar ose jo vizitën e Tadiçit. “Ne jemi në dijeni për qëllimin e presidentit për të vizituar Kosovën dhe kemi marrë një njoftim për këtë. Jemi në konsultime të ngushta me Qeverinë dhe aktorët tjerë. Siç e dini, ekzistojnë procedurat për vizitat e zyrtarëve serbë”. “Bashkimi Evropian do të vazhdojë ti ofrojë mundësitë e kontaktit mes Prishtinës dhe Beogradit dhe të kontribuojë në ngritjen e raporteve të mira fqinjësore në përputhje me perspektivën rajonale”, - tha Reuter. Por, Manaj tashmë konfirmoi se vizita me kushte, është përgjigjja që do ti përcillet Tadiçit përmes Përfaqësuesit të BE-së. “Kjo është përgjigjja që do ti jepet Zyrës së BE-së apo ICO-së. Vizita do të jetë e karakterit fetar”, - tha Manaj. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka qëndruar për herë të fundit në Kosovë më 17 prill të vitit 2009 dhe ka vizituar Manastirin e Deçanit me rastin e ditës së Pashkëve Ortodokse. Në Kosovë, Tadiç kishte hyrë pas një kërkese që i kishte bërë Zyrës së Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, Piter Feith, dhe me miratimin e institucioneve qendrore në Kosovë. Këto të fundit patën tërhequr vërejtjen se, nëse presidenti i Serbisë bën çfarëdo deklarimi politik, që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, atij do ti ndalohet hyrja në Kosovë në të ardhmen, qoftë privatisht ose në mënyrë zyrtare. Përndryshe, autoritetet e rendit kanë bërë të ditur se nëse institucionet e Kosovës lejojnë vizitën e Tadiçit, do të ofrojnë siguri. Policia e Kosovës ka thënë se pa lejen e institucioneve, Tadiçit nuk do ti lejohet hyrja në territorin e Republikës së Kosovës.
Ky lajm është publikuar: 06/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›