Serie A Pandev, Bekam dhe Toni, yjet zbresin sot në fushë
Autori i Lajmit: Redaksia
Itali – Serie A prêt sot të zbarkojë yjet e saj në fushë. Sipas trajnerit të Interit, Hoze Mourinjo, megjithëse sulmuesi maqedonas nuk ka arritur ende formën optimale, ai është i gatshëm të luajë. Në konferencën për shtyp pasditen e djeshme, në prag të sfidës ndaj Kievos sot në transfertë, numri një i pankinës zikaltër ka folur në lidhje me skuadrën, lojtarët dhe të ardhmen e tij në stolin e Interit. “Kemi disa probleme në mesfushë, por nesër dua tre pikët”,- tha “I veçanti”. Jo vetëm në mesfushë, por edhe në sulm, ku Samuel Eto do të jetë i grumbulluar me kombëtaren e Kamerunit në Kupën e Afrikës: “Gjatë këtij muaji Samueli është një lojtar i Kamerunit, edhe pse ne i paguajmë rrogën. Askush nuk do të më dëgjojë të them se nuk shënuam sepse nuk ishte Eto”. Megjithatë, ka mbërritur Pandev, të cilin Mourinjo e vlerëson: “Është një sulmues modern, mund të luajë kudo, në të majtë, në të djathtë apo si sulmues i vetëm. Duhet të ambientohet me ritmin e lojës, por nuk do të ketë aspak vështirësi për tu përshtatur me mënyrën tonë të lojës. Mbase mund të luajë që nesër, megjithëse nuk e di sa minuta. Nuk është ende në formë optimale, por më tha se mund të luajë sa të jetë e nevojshme”. Pas huazimit të Suazos te Xhenova, nga radhët e zikaltërve mund të largohet edhe Vieira. Këtë e pranon edhe vetë Hoze Murinjo: “Sa mundësi ka që ai të qëndrojë këtu? Pak. Por kam besim tek profesionalizmi i tij, përderisa është akoma me ne”. Në fund, edhe një përpjekje e fundit për të sqaruar një herë e mirë gazetarët italianë mbi të ardhmen e tij: “E them për të fundit herë. Jam i dashuruar me futbollin anglez. Dua të kthehem aty. Kur? Nuk e di. Por di që nuk do të largohem me një punë të lënë përgjysmë. Është shumë e thjeshtë: kam një kontratë deri në vitin 2012 dhe do të qëndroj këtu”,- pohoi portugezi, duke përsëritur qëllimin e tij për ta çuar deri në fund projektin me Interin.
Leonardo
Në konferencën për shtyp para ndeshjes me Xhenovan, trajneri kuqezi ka deklaruar se Dejvid Bekam mund të luajë si titullar në “San Siro”. Kjo për arsye se Sedorf dhe Pirlo janë të dëmtuar dhe mund të mos jenë të gatshëm nën urdhrat e Leonardos në sfidën e mbrëmjes së sotme. “Ai mund të luajë në shumë pozicione, nuk ka nevojë për një rol të vetëm në fushë”,- u shpreh tekniku brazilian, që ka edhe një dëshirë për vitin 2010: “Nga Ronaldinjo dhe Pato pres më tepër vazhdimësi”. Më pas, numri një i pankinës kuqezi analizon kundërshtarin e radhës në kampionat: “Xhenova ka pasur disa probleme kohët e fundit, megjithatë, mbetet një skuadër me identitet të qartë. Vrapon shumë, bën presion dhe është tepër agresive, aq më tepër që tani ka edhe Suazon”. Ai ka disa dyshime në lidhje me formacionin që do të hedhë në fushën e lojës, sepse Sedorf ndien dhimbje në këmbë, kurse Pirlo është disi i lodhur. Sipas Leonardos, nëse Sedorf nuk ia del, ai duhet të ndryshojë mënyrën e lojës. Ndoshta në vend të tij (apo të Pirlos) mund të jetë Bekam, për të cilin tekniku kuqezi thotë se e gjeti siç e la sezonin e kaluar. “E shoh shumë të motivuar. Ai mund të luajë në çdo pozicion që të jetë e nevojshme”, - theksoi ai. Në fund, diçka mbi merkaton e dimrit: ”E njoh linjën që ndjek klubi dhe di që objektivat u arritën me afrimin e Bekamit dhe Adijah. Kurse për sa i përket çështjes së portierit, mund të them se është e vështirë që Dida të largohet. Kalaxe ka pasur disa probleme, por tani është në formë optimale. Ndërsa Huntelar, mundësitë më të mira, fatkeqësisht, i ka pasur në momentet më të këqija të skuadrës. Tani po luajmë me një skemë që nuk i lejon shumë hapësira”.
Ranieri
Në transfertën ndaj Kaljarit, trajneri i Romës, Klaudio Ranieri, duhet të bëjë pa kapitenin Toti, megjithatë mund të mbështetet te një Luka Toni tepër i motivuar. “Ka punuar fort. Është një armë më tepër, të cilën duhet ta shfrytëzojmë në këtë pjesë të sezonit. Tashmë vjen më e bukura, por edhe më e vështira. Skuadra është në gjendje të mirë. Kaljari është një skuadër e fortë, por ne i dimë të gjitha grackat e tyre, jemi të përgatitur”, - u shpreh Ranieri në konferencën e djeshme për shtyp. Duke u rikthyer edhe një herë te Luka Toni, ai shtoi: “Nuk e prisja në gjendje kaq të mirë. Udhëtoi pas pushimeve të Vitit të Ri, u stërvit dhe po e merr veten. Natyrisht, nuk mund të ketë ritmin e të tjerëve, por ka lëvizur shumë dhe do të përshtatet menjëherë”. Megjithatë, trajneri verdhekuq shpreson ta shohë së shpejti në fushë kapitenin Toti: “Kur është në fushë, ai na jep jo vetëm mbështetje tekniko-taktike, por edhe mbështetje psikologjike. Është një lojtar thelbësor për ne”.
Ky lajm është publikuar: 06/01/2010