E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rihapet ambasada e SHBA, Klinton presion Jemenit

Autori i Lajmit: Redaksia

Sana - Ambasada amerikane në Jemen ka rifilluar sërish punën pas mbylljes dyditore të saj, duke theksuar se operacionet antiterroriste të ndërmarra nga autoritetet e Jemenit kanë qenë kërcënim, prandaj kishte nxitur mbylljen e ambasadës. Ambasada u mbyll, për shkak të frikës nga sulmet e mundshme të Al Kaedës. Megjithatë, në kumtesën e publikuar në faqen e saj në internet, ambasada amerikane theksoi se aksionet e Jemenit u janë adresuar shqetësimeve specifike që kanë kontribuar në vendimin e ambasadës për të rifilluar punën. Hapja u bë vetëm një ditë pasi forcat jemenase të sigurisë u përleshën me pjesëtarë të Al Kaedës, duke vrarë dy prej tyre. Ministria e Brendshme e Jemenit njoftoi se ka shtuar masat e sigurisë përreth misioneve të huaja. “Nuk ka arsye për tu frikësuar nga kërcënimi për sulme terroriste. Siguria është e mirë në kryeqytet dhe në provinca dhe nuk ka nevojë për tu frikësuar për jetët e shtetasve të huaj apo për sigurinë e ambasadave”, - theksoi Ministria e Brendshme. Uashingtoni është duke mbështetur përpjekjet e presidentit të Jemenit, Ali Salehut, në luftën kundër degës së Al Kaedës që vepron në Jemen. Përpjekjet e fundit u lavdëruan edhe nga sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, e cila përgëzoi qeverinë e Jemenit për operacionet që ka ndërmarrë së fundi kundër Al Kaedës. Sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton, tha se bashkësia ndërkombëtare do ti bëjë presion Qeverisë së Jemenit që ta luftojë Al Kaedën në Gadishullin Arabik, që është përgjegjëse për përpjekjen e dështuar për të hedhur në erë aeroplanin amerikan. Sekretarja e Shtetit tha se aktivitetet në rritje të Al Kaedës në Jemen përbëjnë kërcënim që shkon përtej vendit dhe Lindjes së Mesme. “Ne po i shohim implikimet globale nga lufta në Jemen dhe përpjekjet aktuale të Al Kaedës në Jemen që ta përdorë atë si bazë për sulmet terroriste përtej rajonit”, - tha Klinton. Komentet e saj në Departamentin e Shtetit u bënë pas takimit me kryeministrin e Katarit, Hamad Bin Jasim Jabr al-Thani. Përveç çështjeve të tjera, ata thanë se i diskutuan mënyrat se si do të stabilizohet Jemeni, i cili në dekadën e kaluar ka pësuar një sërë luftërash të brendshme. Klinton foli vetëm disa orë, pasi autoritetet e Jemenit lajmëruan se kanë vrarë dy militantë të Al Kaedës, afër kryeqytetit Sana. Ndërsa kryediplomatja amerikane lavdëroi përpjekjet e Jemenit kundër grupit, i cili e quan veten Al Kaeda në Gadishullin Arabik, ajo tha se kërcënimi potencial është aq i madh, saqë në takimin në fund të janarit në Londër, përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare do ti bëjnë presion Qeverisë së Jemenit që të veprojë më forcërisht. “Është koha për bashkësinë ndërkombëtare që tia bëjë të qartë Jemenit se do të ndalet dhe të ketë kufizime në ndihmën tonë të vazhdueshme për qeverinë, në mënyrë që të ndërmarrin veprime, të cilat do të kenë gjasa më të mira për tu ofruar paqe dhe siguri njerëzve në Jemen dhe në rajon”, - tha Klinton. Al Kaeda në Gadishullin Arabik, javën e kaluar, tha se qëndron prapa përpjekjes për të hedhur në erë aeroplanin nga Amsterdami, i cili po bëhej gati të ulej në Detroit. Nigeriani i dyshuar, 23-vjeçari Umar Faruk Abdulmutallab, nuk ishte në listën e udhëtarëve të ndaluar, por më herët ishte skeduar si kërcënim për sigurinë amerikane. Zyrtarët në SHBA thanë se babai i Abdulmutallab u kishte thënë autoriteteve në Nigeri se i biri ishte bërë radikal dhe mund të shkaktonte dhunë. Shtëpia e Bardhë tha se planifikon që Abdulmutallab të gjykohet në gjykatën federale dhe të ofrojë lehtësime, nëse ai u tregon hetuesve se çfarë di për përgjegjësit, të cilët e kishin rekrutuar dhe stërvitur. Komuniteti amerikan i kundërzbulimit është vënë në fokus të vëmendjes, për shkak se nuk i ka ndarë informatat që i ka disponuar për të dyshuarin Abdulmutallab. Disa thonë se kjo ka mundur ta pengojë të futet në aeroplan në Ditën e Krishtlindjeve. Vetë presidenti Barak Obama pat deklaruar se dështimet e sistemit të agjencive amerikane të zbulimit lejuan që i dyshuari të hyjë në aeroplan dhe këtë e quajti “totalisht të papranueshme”. Klinton e mbrojti punën e agjencisë së saj, duke thënë se Departamenti i Shtetit ka bërë gjithçka që ka mundur. Por, ajo tha se kjo nuk nënkupton që Shtetet e Bashkuara nuk do të duhej ta rishikojnë protokollin e sigurisë, që ta përmirësojnë edhe më shumë atë. Për këtë arsye Obama pati një takim dje me këshilltarët kryesorë të sigurisë në Shtëpinë e Bardhë.

Sanksionet
Hilari, kërcënime edhe Iranit

SHBA-ja ka theksuar se dera ende është e hapur për Iranin që ky vend të përmbushë kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për ambiciet e veta bërthamore, por tërhoqi vërejtjen se është duke zhvilluar diskutime me aleatët e vet për hapat e mëtejshëm, përfshirë këtu edhe sanksionet e reja. “Natyrisht, dera për Iranin është ende e hapur për të bërë atë që duhet të bëjë dhe që të përmbushë obligimet e veta ndërkombëtare”, - tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Bill Burton. Njëkohësisht, sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, tha se ajo ka diskutuar me aleatët “trysninë dhe sanksionet” ndaj Iranit për shkak të programit të vet bërthamor, për të cilin Perëndimi beson se është një mbulesë për prodhimin e armëve bërthamore. “Kemi filluar diskutimet me aleatët për presion dhe sanksione. Synimi ynë është që të ushtrojmë presion ndaj qeverisë iraniane dhe në veçanti ndaj Gardës Revolucionare, elementë brenda të së cilës po i kontribuojnë vuajtjeve të iranianëve të thjeshtë, të cilët meritojnë një jetë më të mirë, sesa ajo që kanë tani”, - tha Klinton.
Ky lajm është publikuar: 06/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›