E Diel, 1 Nëntor 2026

Përvjetori i vdekjes së Maos, Shqipëria ende e alarmuar

Autori i Lajmit: Androkli DraloHong-Kong, 9 shtator 1977 – Kryeqyteti kinez, Pekini, shënoi sot përvjetorin e parë të vdekjes së ish-udhëheqësit Mao Ce Dun me sulmin e tij të parë të hapur ndaj besnikërisë së mendimit të ish-udhëheqësit komunist kinez, i cili dikur ishte një dogmë e pasulmueshme për të gjithë kinezët. Udhëheqja kineze postmaoiste ka pranuar gjithashtu në mënyrë të hapur se zyrtarë të partisë kanë gënjyer për kushtet në Kinë, me qëllim që të jenë në linjë me politikën zyrtare të partisë. Në një artikull të gjatë të gazetës propaganduese “Flamuri i kuq”, (Red Flag) anëtari i Byrosë Politike, Nieh Jung Çen, e solli administratën e re të Kryetarit të Partisë Komuniste, Hua Kuo Fen, më afër sesa kishte qenë më parë, duke i kërkuar autoritetit të saj që të ndryshonte politikat e frymëzuara nga Maoja. Në kumtesën e Niehut, e cila u transmetua më herët këtë javë nga Radio Pekini, sugjerohet se qeveria tashmë ka fituar një besim të ri në ndjekjen e instinkteve të saj praktike në zhvillimin e industrisë së Kinës dhe nuk ndihet e kufizuar nga këmbëngulja e Maos për të vendosur në radhë të parë problemet sociale, si ato të nevojës për të eliminuar dallimet klasore, kundrejt vlerësimeve ekonomike të sipërpërmendura. Nieh vazhdon më tej duke shtuar se zyrtarët duhet të ndalin lustrimet që i bëhen së vërtetës dhe ta përdorin mendimin e Maos vetëm si udhërrëfyes, jo si një zëvendësues për zgjidhjet praktike për përmirësimin e problemeve. Artikulli botohet në fund të një viti, në të cilin pasardhësit e Maos kanë bërë ndryshime të dallueshme në politikat e ish-udhëheqësit, ndërkohë që këmbëngulnin se po zbatonin udhëzimet e tij në letër. “Për të zbatuar me saktësi mendimin e Maos, - thotë Nieh, një veteran 70-vjeçar i Marshimit të Gjatë Kinez, - ne duhet ti nënshtrohemi thelbit të tij shpirtëror, të studiojmë qëndrimin, pikëpamjet dhe metodat e tij, të konsiderojmë teoritë themelore të tij si udhërrëfyesi ynë për të vepruar, dhe të luftojmë me vendosmëri prirjet për të përdorur një sërë frazash... si dogma, për të shpërfillur kohën, vendet dhe kushtet”. Që prej vdekjes së Maos më 9 shtator 1976, disa nga dishepujt e tij më të afërt në Byronë Politike, përfshirë gruan e tij, Çian Çin, janë “zhdukur” pa lënë gjurmë. Viktima të spastrimeve politike si veteranë të partisë dhe zyrtarë të ushtrisë si Nieh, janë kthyer në pushtet pas një dekade ku janë përpjekur për të ndrydhur entuziazmin e Maos për një shoqëri pa klasa. Dramat, operat dhe veprat tradicionale të artit janë konsideruar nga sundimi i mëparshëm si jo të përshtatshme për tu vënë në skenë, për shkak të mungesës së elementëve revolucionarë, ndërsa sot janë rikthyer edhe njëherë tjetër në sytë e publikut. Tregtia me jashtë që dikur thuhej se cenonte politikën e Mao Ce Dunit për rritjen e vetësigurisë së Kinës, po rritet me hapa të shpejtë. Sulmet e studentëve mbi mësuesit dhe sulmet e klasës punëtore ndaj drejtuesve të tyre, të nxitura nga Maoja si pjesë e luftës marksiste të klasave, janë shndërruar në disiplinë dhe prodhim. Për të justifikuar këto ndryshime, Nieh përdori një ligj të Maos për të minuar të tjerat. “Bota që synohet është plot me kontradikta dhe ndryshime”, - thotë Nieh. “Mendimi ynë duhet të reflektojë me vërtetësi të tilla kontradikta dhe ndryshime. Të gjitha idetë e sakta i nënshtrohen ndryshimeve në bazë të kohës, vendit dhe kushteve. Përndryshe, ato do të shndërroheshin në ide metafizike. Ka shumë probleme në shumë fronte, të cilat duhen zgjidhur”, - thotë Nieh. Nëse kuadrot drejtuese kënaqen me thirrjet e përgjithshme dhe disa citime si bazë e këtyre thirrjeve, ato nuk do të jenë të afta për të zgjidhur problemet. “Për të këmbëngulur në rrugën e gjetjes së të vërtetës, duhet të kundërshtohet thënia e gënjeshtrave. Kur Lin Biao, ish-ministri kinez i Mbrojtjes, i cili gjoja u përpoq të eliminonte Mao Ce Dunin dhe “Bandën e Katërshes”, u bënë si të çmendur, disa shokë kishin frikë të thoshin të vërtetën dhe akoma çka është më hipokrite, gënjyen. “Nëse në rrethanat e asaj kohe, kjo ishe disi e kuptueshme, tashmë është shumë e gabuar të vazhdosh e të thuash gënjeshtra. Cilido që vazhdon të gënjejë është duke u përpjekur me qëllim që ti bëjë dëm partisë, vendit, popullit dhe sigurisht vetes së tij. Gënjeshtrat nuk do të zgjasin përgjithnjë dhe do të dalin sheshit përfundimisht.

Shqipëria e alarmuar

Shqipëria komuniste është duke ndërmarrë një valë të ashpër spastrimi të elementëve zyrtarë prokinezë nga postet qeveritare me urdhër të Kryetarit të Shtetit, Enver Hoxha. Burime evropianolindore konfirmuan lajmin nga Jugosllavia ditën e djeshme. Kjo fushatë, e cila koincidon me një përmirësim në marrëdhëniet mes Kinës dhe fqinjës së Shqipërisë, Jugosllavisë, ka përkuar me fundin e marrëdhënieve 16-vjeçare të miqësisë mes Kinës dhe Shqipërisë. Presidenti jugosllav, Josif Broz Tito, të cilin Pekini dikur e quante një tradhtar revizionist të komunizmit, u kthye ditën e djeshme në Beograd nga Pekini pas një vizite 10-ditore e shënuar nga tubime të pazakonta përshëndetëse në emër të tij. Titoja ishte personi i parë i huaj që u pranua të vizitonte varrin e Mao Ce Dunit dhe tha përpara se të nisej, se udhëheqësi i Partisë Komuniste Kineze, Hua Kuo Fen, kishte pranuar ftesën e bërë nga ai për të vizituar Jugosllavinë. Megjithatë, Titoja nuk bëri me dije datën e kësaj vizite. Një burim i njohur me zhvillimet më të fundit në Shqipëri, e përshkroi situatën politike atje si një “çoroditje totale”. Ai tha se zyrtarët prokinezë ishin përjashtuar nga postet e rëndësishme qeveritare “nga pozicionet më të ulëta deri tek ato më të larta” dhe ishin dërguar në burgje dhe kampe pune. Mijëra të tjerë janë arrestuar”, - shtoi ky burim i besueshëm. “Është e qartë tashmë se Hoxha dhe udhëheqësit e tjerë kryesorë shqiptarë janë të alarmuar”, - shtoi ai. “Është më se e qartë se Shqipëria ka humbur aleatin dhe protektorin e saj të madh”.
Ky lajm është publikuar: 06/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›