NJË VIT PA APOLOGJI
Autori i Lajmit: Nga Alma Lama
“Një optimist qëndron i zgjuar deri në mesnatë për të parë Vitin e Ri që po vjen. Një pesimist qëndron për tu siguruar se viti i vjetër po largohet”. Mu kujtua kjo fjali e mençur e shkrimtarit amerikan Bill Vaughan, ndërsa më duhet të hedh disa rreshta për numrin e fundit të gazetës, e cila do të mbërrijë tek lexuesit ditët e Vitit të Ri.
E nëse një optmist dhe pesimist e dinë se pse qëndrojnë deri në mesnatë, po një gazetar në cilën anë do të përcaktohej?
Përgjigjja është e thjeshtë. Natyra e punës së tij e bën që ndërrimin e viteve ta presë edhe si një optimist, edhe si një pesimist: të shohë atë që po lë prapa dhe atë që e pret. E kur është fjala për Kosovën, ia vlen të hedhësh një vështrim prapa. Si ka qenë viti 2009? I shkarkuar nga fjala pavarësi, e cila pat pësuar inflacion një vit më parë, por i ngarkuar me ngjarje të tjera, të rëndësishme, por dhe të rënda. Një vit që kaloi përmes përpjekjes së shtetndërtimit, vjedhjes spektakolare të drogës dhe provave të krimit në ndërtesën e policisë, DVD-së së një dëshmitari vrasës që sfidoi gjithë sistemin e sigurisë, betejës juridike të të mëdhenjve të botës për Kosovën dhe telenovelës së zgjedhjeve të manipuluara.
E nëse pjesa e parë e vitit kaloi pa ndonjë zhurmë të madhe, me problemet e kufijve të hapur, hyrjen e zyrtarëve serbë si në shtëpi të vet apo me konfliktin artificial në fshatin Suhadoll të banuar nga shqiptarët dhe serbët, në Mitrovicë, fundviti grumbulloi ngjarjet më të mëdha, të parashikuara dhe të paparashikura.
Kosova ishte sërish në qendër të vëmendjes së shteteve më të mëdha të botës, kur “fati” i saj u shqyrtua në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Pasi kjo e fundit të japë opinionin që i është kërkuar nga Serbia në lidhje me vlefshmërinë e shpalljes së pavarëisë së Kosovës, gjë që pritet në muajt e pranverës, vështirë se shteti më i ri në botë do të ketë më shansin të jetë në qendër të vëmendjes. Gjykata është rasti i fundit kur gjigantët e planetit, SHBA dhe Rusia, do të ndeshen për një çështje e cila, në mos për gjë tjetër, do të shërbejë si një “case study” për të parë edhe një herë nëse Organizatës së Kombeve të Bashkkuara i ka ardhur koha të ndryshojë shumë elemente të vendimmarrjes, e për më tepër të bëhet me fleksibile ndaj së drejtës së popujve për vetëvendosje.
Opinioni neutral që pritet të jepet nga kjo gjykatë e që do ti “kënaqë” të dy shtetet kundërshtare në një farë mënyre do ti vërë kapakun kësaj pune, pra angazhimit të blloqeve të shteteve për çështjen e pavarësisë dhe përfundimisht do të duhej të ndikonte që Kosova ti kthehej axhendës së saj të brendshme.
E në këtë axhendë të brendshme bën pjesë edhe komuniteti serb, i cili pak nga pak po e kupton se për Beogradin janë vetëm gur shahu në lojën e madhe politike për territore. Pjesëmarrja e tyre, edhe pse modeste, në zgjedhje është një tregues pozitiv se integrimi i tyre, edhe pse i vështirë, më nuk duket i pamundur. Karota e BE-së për Serbinë, e cila u privilegjua duke i hapur dyert për lëvizjen e lirë të njerëzve, edhe pse ende në gjirin e saj mban një kryekriminel si Ratko Mlladiç, ka pasur efektin e saj. Është një lojë e ashpër diplomatike që Serbia me mendje dhe shpirt, ashtu sikurse dhe fizikisht ti përkasë Evropës e jo të gllabërohet nga “vëllai i madh”, Rusia.
Së fundi, gjithnjë e më shumë po kuptohet se axhenda e ripajtimit shqiptaro-serb po i lihet në dorë vetë Ballkanit. E kush mund ta bëjë më mirë se Shqipëria një gjë të tillë? Lëvizjet e fundit të diplomacisë shqiptare, të zotit Ilir Meta në Beograd flasin qartë për një shtendosje të raporteve armiqësore shekullore, të cilat kulmuan me gjakun e derdhur të shqiptarëve të Kosovës më 1999.
Ftesa për vizitë që i është bërë presidentit serb, Boris Tadiç, në Tiranë, është hapi tjetër i guximshëm diplomatik i Shqipërisë, e cila është zgjedhur si “ndërmjetësuesja” më e besueshme në relacionin e vështirë Kosovë - Serbi. Një vizitë e disa deputetëve serbë të Kuvendit të Kosovës ishte shenjë e qartë se kryeministri Berisha po lëviz në drejtimin e përmendur. Shuma modeste prej 400 mijë eurosh, për të ndihmuar komunën e Graçanicës dhe pranimi i saj nga ana e kryetarit të sapozgjedhur të kësaj komune, është gjest i shtrirjes së dorës së pajtimit nga të dyja anët.
Mjafton të kujtojmë tre vjet më parë, një gjest i ngjashëm i kryeministrit shqiptar për të ndihmuar në restaurimin e një kishe serbe në Fushë-Kosovë u refuzua me ashpërsi nga klerikët dhe jo vetëm ata. Një murg, serb lokal, i cili ishte përgjegjës për objektin, i qerasi me manaferra ekspertët shqiptarë, por derës së kishës mori urdhër ti vendosë drynin.
Ajo ishte koha para shpalljes së pavarësisë. Por tashmë edhe në Serbi ky realitet gjithnjë e më shumë po perceptohet si i pakthyeshëm. Ja pse një opinion i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që nuk i përmbush aspiratat e Serbisë do ta çarmatoste atë përfundimisht, nëse i besojmë deklaratës se presidentit Tadiç se Serbia do të luftojë për ta rikthyer Kosovën vetëm me mjete diplomatike.
Por nëse beteja me fqinjin problematik po vjen duke u zbutur, edhe pse Mitrovica vazhdon të jetë molla e sherrit, sfida të mëdha ka shteti i vogël, në vitin që po vjen. Pas diskretitimit me zgjedhjet e kontestuara të mbajtuara më 2009, i duhet një sforcimi i madh për të ndrequr imazhin e prishur. Humbja e kredibilitet qeverisës, lojërat politike mes partnerëve që nuk janë gjë tjetër veçse luftë për karrige dhe jo për të përmirësuar jetën e qytetarëve do të duhej të ishte pikënisje për ndryshime radikale dhe jo vetëm ndërrim emra ministrash.
Nga ana tjetër dëshmia Bllaca është hija e rëndë që rëndon ndërgjegjen e kësaj klase politike, por mbi të gjitha që sfidon sistemin e drejtësisë e në radhë të parë të misionit të BE-së EULEX. Një vit pas zbarkimit të tij, mjafton për të dalë në konkluzionin se është treguar i mefshët në vendosjen e rendit dhe ligjit, në shpluhurosjen e 2000 dosjeve të krimit të trashëguara nga UNMIK, apo në krijimin e dosjeve të reja dhe arrestimin e zyrtarëve, që siç thotë kënga himn e grupit Troja, “akoma nuk e kanë kuptuar se nuk bën të vjedhin shtëpinë e vet”. Por a do ta kuptojnë gjatë vitit 2010? Edhe optimisti më i madh do të thoshte: shumë e vështirë.
(Autorja është analiste politike pranë gazetës “Kosova sot”)
Ky lajm është publikuar: 06/01/2010