Një festë e re në Pogradec
Autori i Lajmit: Nga Koço Pihoni
Prej vitesh tashmë është bërë traditë në Pogradec. Promovimi i një feste të re qytetare, besoj të jetë më e bukura në vend e më gjerë, Festa e Pijes dhe e Verës.
Antikiteti
Pak histori nga mitologjia e antikiteti ilir e ai helen që besoj të shërbejë si argument për ilustrim. Është fakt historik se mbretit Bardhyl të Enkelejve i kërkuan dorën e vajzës së tij, Lydiananës për Tindaurin, djalin e një mbreti helen, miqësi që ai e pranoi. Nga kjo lidhje në kurorë ata sollën në jetë katër fëmijë: dy djem, Kostandinin, Polidefin dhe dy vajza Klimnestrën dhe Helenën e bukur, të cilat u bënë më pas pjesë e trashëgimisë të antikitetit. Tregohet se mbreti Bardhyl i Enkelejve i dha në prikë vajzës së tij edhe një sasi “kalemash hardhi rrushi”, të cilat në kushtet e atij vendi me klimë mesdhetare u mbollën e u shumuan në qindra ha vreshtari, dhuratë e çmuar e shumë bujare e bërë nga ilirët miqve, grekëve të vjetër.
Tradita
Prej qindra vitesh është kultivuar hardhia. Deri në vitin 1967, të gjitha familjet pogradecare kishin vreshta i punonin e prodhonin rrush, të gjithë kishin bute, ku shtinin rrush e prodhonin në mënyrë artizanale verë e të gjithë ishin e janë përdorues të verës e rakisë, sa sot është aksiomë gjithandej thonë se pogradecarët nga të qenët pijetarë janë të dallueshëm nga të gjithë të tjerët! Me nderim e respekt duhen kujtuar disa prej vreshtarëve e vertarëve pogradecarë pionierë të traditës, prodhues e tregtues të mesëm, dje e sot. Kujtoj Vasil Cokun, Fani Naçon, Tushi Llakmanin, Zisi i Kuzit, Vasil Shukja, Spiro e Jovani i Bendos, Ademi i Lakes, Haki Haxhillari, Asimi i Velës etj., sot Rako Çomo, Tomi Naço, Rako Krëste, Artur Blaceri, Genci Shyta etj.
Dhe deri në vitin 1990 Pogradeci kishte kantinën e fabrikën e verës e të pijeve, ku përpunoheshin me mijëra tonelata rrush, kryesisht i prodhuar nga NB-të e kooperativat bujqësore të rrethit, ku vera Pamid Pogradeci, Gemsi, rakia Perlë e Muskat ishin me famë.
Koha sot kërkon të shtohet prodhimi i rrushit sipas kultivarëve të duhur, të përshtatet teknologjia e përpunimit të rrushit e marketimi dhe etiketimi i saj, që tu përgjigjet kërkesave e standardeve që kërkon një treg sikurse është Turizmi.
Festa
Qyteti ynë duhet të ketë përparësi zhvillimin e turizmit gjithëvjetor. Festa është konceptuar si një koncert me dy akte, i realizuar në dy mbrëmje radhazi, për këtë koncert është punuar për shumë ditë me një plan masash teknike shumëplanësh, në grupe pune e persona përgjegjës, me dekorin e gjithë qytetit e veçmas në shëtitoren “Fan Noli”, të ndodhur në bulevard “Evropa”, nesër.
Zhvillohet një panair i vërtetë me pjesëmarrje të gjerë, natën e parë veçanërisht gjatë këtyre netëve festohet masivisht në shesh, lokale e në familjet qytetare. Nata e parë ka për kryefjalë një program artistik me konkurrime, poezi për verën dhe shpallja e fituesve. Ky aktivitet drejtohej nga poeti pogradecar Dh. Pojanaku.
Përveçse poet, njëherazi është gjykatës dhe aftësitë si gjyqtar u vlerësuan dhe në këtë konkurrim ku për fituesin u gjykua me drejtësi e kompetencë nga juria. Çmimin e parë e fitoi poezia e Marjana Shkurtit, por fituesi më simpatik i mirëpritur u shpall poeti e pijetar njëherazi, zoti Kiço Jovan Gusho, i njohur si Kiço “Balashi“, kjo për arësye të njohjes të tij si shofer që shpërndante mobilje në të gjithë Shqipërinë.
Në këtë natë festive kishte dhe të ftuar nderi personalitete të vendit e të huaj.
Në mbyllje të kësaj nate të parë të festës, kryetari i Bashkisë, Artan Shkëmbi, përshëndeti gjithë të pranishmit, ndër ta dhe mikun grek, kryetarin e Bashkisë së Vollosit, që shoqërohej nga një staf biznesmenësh të interesuar për zhvillimin e binjakëzimin me qytetin tonë.
Nga fjala përmbyllëse veçojmë disa thënie të drejtuara kryetarit të “emëruar“ për ta drejtuar këtë natë Gala, z. Dhimitër Pojanakut, ku pasi e falënderoi dhe e përshëndeti për këtë angazhim, nuk harroi që me humor ti drejtohet Pojanakut për ta falënderuar: “I dashur Pojanak, besoj se duhet të jeni të kënaqur se ju poetët shkruani, ne Bashkia paguajmë, ju merrni çmime, bëheni të famshën, ne prapë paguajmë, ju hani, pini e këndoni, shpenzimet Bashkisë ja faturoni!”
Në këto çaste unë kujtova një klerik të vjetër e pijetar, zoti e ndjeftë priftin Papa Ndonë. Ai u thoshte bashkëqytetarëve: ”Hani, pini e këndoni, se mëkatet u fal, sa të jem unë gjallë, Papa Ndoni“.
Aktori dhe vera
Pas kësaj nate poetike, ku fjalët e vargjet u “pëlqyen”, mbase dhe nga poeti i madh Lasgush, që ndodhet në parkun jo më shumë se 30 m larg kësaj Bar-anije, që vozit në liqen, u takuam me Vasillaq Vangjelin.
Dita e dytë e festës filloi me degustimin e verërave të sjella për konkurrim dhe vlerësimin për verërat fituese, si dhe vlerësimin e shoqërueses së verës fituese, që shpallet në mënyrë publike në mbrëmjen përmbyllëse. Vera fituese derdhej nga kanellat e buteve si rrëke. Ambienti i kësaj nate u elektrizua kur për të pranishmit u shfaq aktori i nderuar i skenës shqiptare, Vasillaq Vangjeli.
Ai luajti në mënyrë mjeshtërore disa parodi serenata korçare, të sjella në këtë kohë moderne që jetojmë. Do dëshiroj të them se lezetin kësaj feste ia shtuan “lapsuset“ në prezantim nga konferencierja: “Për ju, z. Vasillaq Gjoka” që më pas për korrigjim e prezantoi si “Koçin e Sofkës së teta Ollgës“. I menjëhershëm qe reagimi i aktorit: “Po ju,- tha ai me humor,- kush jeni, Violeta Manushi?! Kaq mjaftoi që asaj ti ikë “figura e zëri“ e pjesëmarrësit të qeshnin me lot!
Duke biseduar më pas me aktorin, ai shprehet se “unë nga ana ime, gjej rastin të falënderoj grupin organizator për ftesën, së cilës iu përgjigja me kënaqësi dhe në nderim e respekt që kam unë për Pogradecin e pogradecarët ku veçoj dhe kujtimet e mia për Lasgushin, Niko Nikollën dhe shumë shokë, si Xhuvin, Roza Dhamin, Thanas Kostën, Kiço Beckën, Artur Blacerin, dikur kamerier e hotelxhi në atë Turizmin e vjetër, pa dyshim, edhe ju (autorin e shkrimit). E pyesim se çfarë bisedonte me kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, pasi ra në sy që njiheshin prej kohësh.
“Unë me zotin Shkëmbi nuk kam pasur rastin të njihem. Po rasti është mbret, por për sa bisedova, mësova se babai im dhe babai i tij, kanë qenë ushtarakë, shumë shokë dhe se shumë vite përpara kemi qenë me shtëpi në një pallat në Tiranë, kur Tani atëherë ka qenë i vogël“.
Po tjetër ?
“Më foli për motivin dhe vizionin që kishte ai për festimin e kësaj feste, që për mendimin tim ai e konceptonte këtë si pjesën e dukshme të një strategjie vizionare për zhvillimin e këtij qyteti dhe rrethinave të tij me objektiv vitin e realizimit 2020, si infrastrukturë strategjike, që ka për themel punën këtu me vreshtarët, përpunimin e rrushit, shtimin e prodhimit blegtoral e peshkut, që besoj se këtë kërkon Evropa nga ne! Edhe unë e falënderova me gjithë zëmër, duke e uruar që dhe Zoti ju dhëntë shëndet për ta bërë këtë dëshirë një realitet të prekshëm dhe unë e besoj atë” .
E pyesim Vasillaq Vangjelin edhe si pijedashës. “Është e vërtetë se verërat më të mira, prodhohen në Bordo të Francës, po kjo festa e pijes së verës, kështu si u bëka në Pogradec “rëk“ se gjendet vend tjetër në Ballkan e nuk është çudi që kjo festë të bëhet e tillë jo shumë larg”.
E një pyetje të fundit i drejtuam aktorit. Si ia kalon me punë Vasillaq Vangjeli, Koço Devolja? Më ke drejtuar një pyetje atje ku më dhemb më shumë,- thotë Vangjeli.
“Kam më se 4 vjet tashmë i flakur në rrugë të madhe, pa punë, burrë e grua, pa rrogë, pa pension, pa asnjë të ardhur, me të dy fëmijët nëpër shkolla, çfarë të të them, më keq nuk bëhet. Unë as hasmit nuk do tia dëshiroja. Për zgjidhje u detyruam të kthejmë shtëpinë në lokal e punoj me gruan, për të jetuar apo mbijetuar. Falënderoj shoqërinë që vijnë pinë një kafe a një gotë dhe, kur e do puna, unë orkestroj me atë instrumentin tim “Dy të bardha, një të zeskë“. Koçoja ia kalon edhe më keq, se shiti shtëpinë, vite më parë dhe jeton me qira në një garsoniere. Fëmijët i ka në emigracion dhe besoj se është në hall të madh.
Besoj se kjo që po rrëfeni është tronditëse për çdo shqiptar që e mëson këtë të vërtetë, që pa dyshim, flet shumë e tregon fytyrën e vërtetë të këtij shteti partiak, ku nuk vlerësohen ata që ligjërojnë, fisnikërojnë emancipojnë tërë shoqërinë, por kërkohen e vlerësohen ata që i ngjasojnë një qeni besnik”. Fati i tij dhe i shumë artistëve i ngjan atij të Lasgush Poradecit, që qëndroi i mënjanuar në qytetin e tij duke u mbyllur brenda poezisë.
Në përcjellje iu dhuruan aktorit nga fituesi disa shishe nga vera e kuqe fituese, për ta përdorur me familjen a shokët e miqtë e tij në Tiranë në këto ditë festash!
Ky lajm është publikuar: 06/01/2010