Ministri Prifti garanton: “Hidrocentralet nën kontroll”
Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare ka ndërprerë mesditën e së martës shkarkimet e ujit nga hidrocentrali i Fierzës, i cili është në punë me kapacitet të plotë.
Ministri i Energjetikës, Dritan Prifti garantoi se kuotat në hidrocentrale janë nën kontroll dhe se reshjet nga ana tjetër kanë mundësuar shifra rekord prodhimi e eksporti.
Ministri Prifti
”Në Fierzë është ndaluar shkarkimi i ujit, por ka një punë me kapacitet të plotë me 4 turbina. Në Koman shkarkohet vetëm 300 metër kub për sekondë, punohet me kapacitet të plotë me 4 turbina; në Vaun e Dejës shkarkohet 600 metër kub në sekondë punohet me kapacitet të plotë me 5 turbinat. Kemi eksportuar gjatë orëve të fundit 12.2 milionë kilovat/orë, aq sa nuk ka eksportuar ndonjëherë në historinë e vet KESH-i”, tha Prifti. Sipas Priftit, situata mbetet e vështirë, pasi gjatë javës përsëri priten reshje shiu e rritje të temperaturave. Gjatë 24 orëve të fundit në vend janë prodhuar 28 milionë kilovat/orë energji një shifër kjo rekord. Kjo duket se do të krijojë lehtësi në kompensimet për banorët që kanë banesat dhe tokat e përmbytura në zonat e Shkodrës e Lezhës.
Në këto kushte ai i kërkoi bashkëpunimin edhe ekspertëve të opozitës. ”Unë do ti bëj thirrje opozitës që në këtë moment kur punonjësit tanë me heroizëm po menaxhojnë situatën të jetë në mbështetje të menaxhimit të situatës dhe të mos lutet për të pasur katastrofa kombëtare dhe për të pasur probleme si dhe të nxjerrë njerëz që e njohin situatën dhe jo të nxjerrë njerëz që janë totalisht injorantë për sa i përket sektorit të energjisë” tha Prifti.
Izolohet verilindja
Reshje të konsiderueshme dëbore kanë shkaktuar probleme të mëdha në zonat e verilindjes, bllokim të shumë komunave dhe ndërprerjen e përkohshme të komunikimit. Trashësia e dëborës ka arritur deri ne 30 centimetra në Kukës, Bulqizë, Peshkopi, Burrel e Pukë, ndërsa në zonat e thella malore trashësia e dëborës ka shkuar deri në gjysmë metri. Reshjet vazhdojnë të bien të dendura në këto zona, duke izoluar komuna të tëra. Që në orët e para të mëngjesit u raportuan të bllokuara në Dibër zonat e Lurës, Kalasë së Dodës, Klenjës, Selishtës dhe Sllovës, ku trashësia e dëborës ka shkuar në rreth gjysmë metri. Ndërkohë, shkon në disa dhjetëra numri i fshatrave të veçantë që janë bllokuar. Në Kukës janë disa komuna të bllokuara dhe po ashtu edhe në Has, Tropojë e Pukë. Por më shqetësuese është vështirësia në qarkullimin e mjeteve në disa akse nacionale. Mëngjesin e djeshëm aksi Tiranë-Burrel-Bulqizë-Peshkopi kalohej me shumë vështirësi, ose vetëm me zinxhirë. E njëjta situatë paraqitet edhe në aksin Tiranë-Kukës. Në zonën e Qafës së Malit dhe Qafës së Kumbullës, rruga është pothuajse e pakalueshme dhe po ndërhyhet nga ana e ndërmarrjeve të mirëmbajtjes së rrugëve për hapjen e kalimit. Mëngjesin e djeshëm është zgjuar tërësisht i zbardhur nga dëbora edhe qyteti i Korçës. Reshjet pothuajse kanë izoluar disa komuna të thella malore dhe kanë bërë të kalueshëm vetëm me zinxhirë akset Korçë-Kolonjë dhe Korçë-Kapshticë.
Ky lajm është publikuar: 06/01/2010