E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova ka bërë pak në këto katër vite, sipas Opozitës

Përderisa liderët institucional lavdërohen me të arriturat që ka bërë Kosova për katër vjet shtet, opozita thotë krejt të kundërtën. Sipas këtyre të fundit, Kosova ka ende probleme të mëdha thelbësore, të cilat s’po arrin t’i zgjidh dhe të cilat po e rëndojnë jetën e qytetarëve. Si vërejtje tjetër përmendet mos shtrirja e autoritetit në veri të vendit.

Me rastin e katër vjetorit të pavarësisë së Kosovës është mbajtur një seancë solemne, ku kanë folur presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, kryekuvendari Jakup Krasniqi dhe kryeministri, Hashim Thaçi, të cilët kanë folur për të arriturat e Kosovës që prej se Kosova ka shpallur pavarësinë e saj si shtet.

Edhe pse nuk ishte e rezervuar ndonjë fjalë për opozitën, ata pas mbajtjes së kësaj seance kanë dhënë mendimin e tyre për katër vite të Kosovës si shtet.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skender Hyseni ka thënë se në linja të trasha Kosova ka arritur progres, por në linja të holla ka ende probleme të theksuara.

“Në linja të trasha ky përvjetor e gjen Kosovën shtet të konsoliduar me institucione të ndërtuara. Ndërkaq në linja të holla në detale ky përvjetor e gjen Kosovën me plotë probleme, sfida të cilat absolutisht kërkojnë angazhim të jashtëzakonshëm të institucioneve me shumë probleme në fushën e ekonomisë, të sundimit të ligjit, në fushën e luftimit të krimit dhe korrupsionit dhe të gjitha këto kërkojnë një angazhim shumë më të madh të institucioneve në mënyrë që Kosova të ofroj perspektivë për qytetarët e saj, që ofron punë shkollim cilësor shëndetësi më cilësore”, ka thënë Hyseni.

Ai ka thënë se të gjitha këto nuk e kontestojnë të qenit shtet, por gjithsesi shtrohen detyra shtesë para institucioneve.

Sipas Hysenit problemi kryesor në rrafshin ndërkombëtar është anëtarësimi në institucione ndërkombëtare, deri te anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa në rrafshin nacional Kosova duhet të forcoj ekonominë e saj, të ofroj perspektivë për biznesin e saj dhe perspektivë për qytetarin e Kosovës.

Ndërkaq deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Alma Lama ka thënë se në fillim duhet të thuhen fjalë të mira pasi që Kosova pas një shekulli ka arritur pavarësinë dhe lirinë. Por, sipas saj, problemet janë shumë të mëdha në procesin e shtetëndërtimit, i cili ende nuk ka përfunduar.

Për më tepër, Lama ka thënë se çështje e rëndësishme është çështja e veriut dhe shtrirja e sovranitetit në veri, si në të gjitha pjesët e territorit të vendit. Për këtë deputetja Lama ka thënë se nuk ka një zgjidhje vizionare në diskutime dhe në tavolinë.

Deputetja Lama ka thënë se përgjatë këtyre katër viteve është bërë shumë pak në ndërtimin e shtetit ligjor të Kosovës dhe për këtë fajin e ka klasa politike në vend.

“Mendoj që kemi bërë pak. Ka pasur mundësi të bëhet shumë më shumë në ndërtimin e shtetit ligjor. Mos të harrojmë që Kosova është një nga vendet më të korruptuara dhe me sundim më të dobët të ligjit në rajon. Këtë nuk mund të ja plasojmë një vendi që ka dal nga lufta, por një klase të papërgjegjshme politike e cila ka vënë shpesh interesat personale mbi interesin e vendit”, ka theksuar Lama.

Nga ana tjetër, deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini ka thënë se për të parë Kosovën sa ka përparuar duhet të shikohet vetëm Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

“Mendoj se duhet me pa Kosovën drejt jo me ja bërë qefin vetit, jo me u kënaq. Dhe përshkrim më të mirë për Kosovën s’ka se sa vetëm të shohim Qendrën Klinike Universitare. Është spitali kryesor i shtetit sovran, është spitali ku bëhet edhe shkenca dhe në atë spital kryesor ujë i tualeteve pikë nëpër dhoma të pacientëve. Kjo është Kosova e cila është sot dhe në të njëjtën kohë me qindra miliona euro vidhen ose investohen në projekte të cilat nuk kanë efekt. Kosova jonë është kjo e cila është me ngrohtë me pastër për të burgosurit në burg se sa në spital dhe mund të merrni me mend për çfarë shteti po flasim”, ka thënë Gjini. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›