Meta: Për Kosovën, bashkëpunim me Rusinë
Ndonëse për çështje të caktuara, sikurse është rasti i Kosovës, Rusia dhe Shqipëria kanë qëndrime të ndryshme, kjo nuk duhet të jetë pengesë për forcimin e marrëdhënieve në nivel bilateral dhe në fusha me interes reciprok. Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, takoi dje ambasadorët e Rusisë në Tiranë, z. Alexander Prischepov, dhe atë të Bullgarisë, Theodor Roussinov. Ata i uruan z. Meta për detyrën e re dhe shprehën vlerësimin për nivelin e mirë të marrëdhënieve dypalëshe. Gjithashtu, ambasadori Prischepov shprehu angazhimin e palës ruse për forcimin e mëtejshëm të tyre, veçanërisht në fushat e ekonomisë, arsimit dhe turizmit. Z. Meta shprehu vullnetin e qeverisë shqiptare për të thelluar bashkëpunimin mes Rusisë dhe Shqipërisë dhe theksoi se ndonëse për çështje të caktuara, sikurse është rasti i Kosovës, dy vendet kanë qëndrime të ndryshme, kjo nuk duhet të jetë pengesë për forcimin e marrëdhënieve në nivel bilateral dhe në fusha me interes reciprok. Po dje, ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, priti dhe ambasadorin e Bullgarisë në Tiranë, z. Theodor Roussinov. Gjatë këtij takimi, të dyja palët konfirmuan vlerësimin se mes Shqipërisë dhe Bullgarisë ka një nivel të shkëlqyer të marrëdhënieve të bashkëpunimit. Z. Meta theksoi gatishmërinë e elaborimit të tё gjitha mundësive për intensifikimin dhe konkretizimin e bashkëpunimit dypalësh dhe atij rajonal në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Ambasadori Roussinov rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të Bullgarisë për Shqipërinë gjatë procesit të integrimit evropian, duke ofruar bashkëpunim dhe shkëmbim eksperience në çështje të veçanta të këtij procesi, për të cilat pala shqiptare do të shprehë interes.