E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova kundër modelit të Katalonisë për veriun

PRISHTINE- Autoritetet në Kosovë dhe ekspertë të së drejtës ndërkombëtare hedhin poshtë mundësinë që veriut të populluar me serbë t’i jepet një status autonom i ngjashëm me atë që ka Katalonia e Spanjës.

Reagimi vjen një ditë pasi shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, shprehu mendimin e tij se modeli për një zgjidhje afatgjate në Kosovë është “Ahtisaari Plus”. Feith propozon modelin e Katalonisë për veriun, por pa dhënë detaje për mënyrën se si e shihte këtë autonomi.

Ministri i Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj deklaron se e vetmja zgjidhje që prodhon stabilitet në Ballkan është pakoja e Ahtisaarit.

“Falë Planit të Ahtisaarit, përfaqësuesit special të Kombeve të Bashkuara, të drejtat e minoritetit serb në Kosovë garantohen më shumë se në çdo shtet tjetër në Evropë”, ka thënë Hoxhaj, në një intervistë për agjencinë italiane të lajmeve. Sipas tij “90 për qind e këtij plani tashmë është implementuar”.

Ndërsa Afrim Hoti, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, i cituar nga media kosovare, ka deklaruar se serbëve të Kosovës asnjë model nuk u jep të drejta më shumë sesa Plani Ahtisaari. Sipas tij, prekja e pakos nuk do të mund të kufizohet vetëm në pjesët që u referohen të drejtave të serbëve.

“Mendoj se edhe Katalonia, edhe rajonet e tjera, nuk mund dhe nuk kanë ndonjë element që avancon pozitën e serbëve më shumë se sa që parasheh Pakoja e Ahtisaarit. Të gjitha këto mund të shërbejnë vetëm si lojë politike dhe mund të shërbejnë si opsione, ose alternativa në procesin e zgjidhjes së çështjes së kësaj pjese”, ka thënë profesor Hoti, citon koha ditore.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›