Fëmija i vdekur në rrënoja, familjarët akuza bashkisë
SHKODËR - Familjarët e 12- vjeçarit, Kristian Marku, që gjeti vdekjen të premten, në rrënojat e një ndërtimi të prishur, akuzojnë bashkinë dhe Inspektoriatin e Ndërtimit, si shkaktarë të ngjarjes, ndërsa kundërshtojnë deklaratat e bashkisë e policisë, lidhur me ngjarjen. Mes hidhërimit për humbjen e fëmijës që vdiq nën një pjesë solete betoni, babai i tij, Ndoci, xhaxhai Luigji dhe vëllai më i rritur shprehen se nuk është e vërtetë ajo që ka deklaruar bashkia se ndërtimi nuk është prekur nga Inspektoriati Ndërtimor, dhe se e ka prishur pronari, që policia, në një deklaratë të ditës së shtunë, e ka shpallur në kërkim. Ndoc Marku, babai i Kristianit, shprehet se “më ka ikë djali dhe kam paguar çmimin më të hidhur. Duhet të ketë një përgjegjës për këtë që ndodhi. Prishin, nuk largojnë mbeturina, as i rrethojnë. Duke punuar fadroma për prishjen, të mërkurën, askush nuk i largonte njerëzit. Asnjë masë sigurie. Linte soletën në ajër, të varur. Unë ja vë fajin bashkisë dhe Inspektoriatit Ndërtimor dhe do e ndjek deri ku të ketë drejtësi”. Ndërsa xhaxhai i viktimës, Luigj Marku shprehet se përgjegjësia është komplet e shtetit dhe degëve të tij. Mos të shfajësohet njeri dhe ti hidhet faji të tjerëve të pafajshëm.