Helm në ujë, dhjetëra kuintal peshk të ngordhur
Një sasi e madhe peshku është helmuar në grykëderdhje të një kanali, në afërsi të plazhit të Darëzezës, në Fier. Helmi i fortë i hedhur nga njerëz, ende të paidentifikuar, ka shkatërruar faunën, ndërsa uji që derdhet në detin Adriatik, ka marrë një ngjyrë jeshile. Dhjetëra kuintal peshk të llojeve të ndryshme kanë përfunduar të ngordhur, ndërsa një sasi e madhe e tij është marrë prej banorëve të zonës për tregti. Nuk dihet se në cfarë tregu është dërguar ky peshk për shitje. Ndërsa një pjesë e peshkut është marrë për konsumim edhe nga banorë të kësaj zone. Sipas disa banorëve të pranishëm në vendngjarje, helmi i përdorur mund të jetë i llojit Teodan, një pesticid i fuqishëm, që përdoret kryesisht në bujqësi, për mbrojtjen e bimëve nga insektet dhe sëmundjet e ndryshme. Burime nga drejtoria e shëndetit publik Fier kanë pohuar se peshku i helmuar me këtë lloj helmi është i pakonsumueshëm. Sipas tyre, helmi prek mushkëritë e peshkut dhe që andej, helmi shpërndahet në trupin e tij. Kjo do të thotë,- thanë këto burime, që ai nuk mund të konsumohet, pasi ndikon direkt në shëndetin e njeriut.