E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova marrëveshje me FMN, merr 110 milionë euro hua me interes 6%

Republika e Kosovës ka arritur marrëveshje për ndihmë buxhetore prej 110 milionë eurosh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se kjo marrëveshje garanton rritje ekonomike prej 6 për qind dhe njëherësh, ka thënë

se ndihma nga ky fond vendos Kosovën në rrugë të sigurt për realizimin e projekteve më rëndësi nacionale. Nëpërmjet kësaj marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Kosova do të jetë pjesë e programit për ndihmë financiare të kësaj organizate me kusht që garancitë financiare nga donatorët të realizohen dhe që kjo marrëveshje të marrë aprovimin nga Bordi i FMN. Duke qenë pjesë e këtij programi Kosova do të përfitojë një hua prej rreth 110 milionë eurosh në 18 muajt e ardhëm, dhe 210 milionë euro nga donatorët e tjerë si Bashkimi Evropian dhe Banak Botërore. Për të arritur këtë marrëveshje autoritetet kosovare janë zotuar se do të zvogëlojnë deficitin buxhetor, dhe të përmirësojnë financat publike dhe administratën tatimore. Qeveria nuk do të reduktojë shpenzimet totale kapitale, por sipas kryeministrit, do të aplikojë një disiplinë fiskale të respektuar. Së bashku me FMN shpall përfundimin e suksesshëm të negociatave dhe arritjen e marrëveshjes për  ndihmë buxhetore nga  FMN, që do të ndihmojë në realizmin e projekteve me rëndësi nacionale, si autostrada,  reforma në sektorin e energjetikës, reforma në sistemin e arsimit  dhe privatizim të sektorit të telekomit, ka thënë Thaçi, për të shtuar se në kohën kur kriza ekonomike botërore ka ndalur zhvillimin e shteteve më të pasura, Kosova ka qenë e vetmja në rajon me rritje pozitive ekonomike. Në këtë drejtim ai është shprehur se me FMN është bërë planifikimi i duhur ekonomik, që Kosovës i garanton rritje ekonomike prej 6 për qindësh në vit. Bordi ekzekutiv i FMN pritet të mblidhet dhe të diskutojë programin gjatë muajit korrik, ndërkaq Kosova do të mund të tërheq rreth 21.5 milionë euro menjëherë pas aprovimit të bordit. Po ashtu aprovimi  FMN do ti sigurojë Kosovës edhe mundësinë për të fituar një ndihmë prej 210 milionë eurosh në tri vitet e ardhshme nga donatorët, si Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore. Përfaqësuesi i FMN, Jurgen Odenius ka thënë se me gjithë faktin që performanca ekonomike e Kosovës është përmirësuar dukshëm gjatë dekadës së fundit, ende ka disbalance të mëdha. Këto disbalance, sipas tij, janë rezultat direkt i zhvillimit të ultë të infrastrukturës, në veçanti të sistemit të transportit dhe sektorit të energjisë, që vazhdojnë të shtrëngojnë produktivitetin dhe konkurrencën. Odenius ka theksuar se përpjekjet e qeverisë për të skanuar këtë gjendje dhe nevoja për të adresuar çështjet sociale, kanë përkeqësuar dukshëm financat publike. Për më tepër vendimi për të ndërtuar autostradën, po krijon presione të mëtejme të shpenzimeve, ka thënë ai.Por sipas tij autoritetet kosovare janë duke ndërmarrë veprime të fuqishme për të zvogëluar deficitin buxhetor, dhe për të përmirësuar financat publike dhe administratën tatimore. Këto masa siç ka thënë Odenius do të shoqërohen me masa për të përmirësuar efiçiencën e ekonomisë përmes privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës dhe forcimin e sektorit të energjisë. Qeveria kosovare për tu bërë pjesë e programit të FMN është zotuar se deficitin për vitin 2010 do ta kufizojë në 3.4 për qind ët GDP, duke rritur të hyrat dhe duke ulur shpenzimet rrjedhëse, por jo edhe ato kapitale. Kufizimi  i shpenzimeve do të duhet të vazhdohet gjatë tërë vitit 2011, ka pohuar Odenius.Pjesë e programit me FMN do të jenë edhe Ligji i punës, e po ashtu edhe Ligji për sigurimin e pensionit si dhe ai për vlerat e luftës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›