E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në shtator përzgjidhen pronarët që do t’u kompensohen prona

Dje mbaroi afati për dorëzimin e dokumentacionit për të qenë pjesë e shortit

Laureta Rryçi

Mbaron afati për ish-pronarët që do të përfshihen në shortin e muajit shtator për kompensimin e pronës. Drejtues të AKKP-së, deklaruan dje se 521 ish-pronarë kanë dorëzuar dokumentacionin pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në përpjekje për të përfituar nga fondi 600 milion lekë që ka vënë në dispozicion qeveria këtë vit. Kryetar i kësaj agjencie Elvis Çela, bën të ditur se menjëherë do të nis verifikimi i dosjeve dhe në fund të shtatorit pritet që të shpallet edhe lista e fituesve. “Duke filluar që nga dita e djeshme të gjitha dosjet dhe praktikat përkatëse të aplikimeve do dërgohen nga agjencia qendrore e kthimit dhe kompensimit të pronave në zyrat tona rajonale në qarqe në mënyrë që të bëhen të gjitha verifikimet e dokumentacionit të paraqitur nga subjektet kërkues. Më pas të rikthehen sërish pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ku do të bëhet edhe vlerësimi përfundimet për efekt të klasifikimit të fituesve dhe jo fituesve. Fondi i vënë në dispozicion të AKKP-së për këtë vit është 600 milion lekë”- u shpreh kreu i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Çela. Drejtuesit e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave shpjegoi se në këtë fazë është e vështirë që të përcaktohet se sa do të jetë numri i ish pronarëve që do të kompensohen këtë vit, pasi kjo varet nga vlera e truallit e cila ndryshon në varësi të qyteteve. Gjatë vitit të kaluar me fondin prej 500 milion lekësh u kompensuan 160 pronarë.
Kompensimi
Ishin lënë 30 ditë afat, duke filluar nga 15 qershori, që ish-pronarët, të cilët nuk kanë përfituar nga kompensimi financiar i këtyre viteve, të nisin aplikimet. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka nisur të pranojë të gjitha aplikimet e subjekteve, dhe vetëm pas përfundimit të kësaj faze ajo do të merret me shpërndarjen e fondit të kompensimit. Pak kohë më parë qeveria miratoi fondin e ri për kompensimin e ish-pronarëve të shpronësuar në vite, duke iu dhënë atyre mundësinë për të përfituar. AKKP-ja filloi procedurat për pritjen e kërkesave dhe regjistrimin e tyre ditën më 15 qershor dhe sipas njoftimit të këtij institucioni, si ditë e fundit për aplikimet do të ishte 14 korriku, e përcaktuar kjo në Vendimin e Këshillit të Ministrave. Si rregull subjektet që do të përfitojnë nga ky kompensim nuk duhet të kenë përfituar nga kthime dhe kompensime të mëparshme dhe njëkohësisht nuk duhet të kenë përfituar nga shpërndarja e tokës sipas ligjit 7501. Në ligj përcaktohet se ish-pronarët do të përfitojnë kompensim deri në 200 metra katrorë truall sipas vlerës së tregut.
Përfituesit
Për këtë proces kompensimi mund të aplikojë kushdo që nuk ka bërë asnjëherë aplikim gjatë viteve të mëparshme. Sipas AKKP-së, subjektet e interesuara duhet të paraqesin dokumentacionin si vijon: vendimet e komisioneve së bashku me plan-vendosjen përkatëse, aktin e trashëgimisë, si dhe prokurën e posaçme. Sipas AKKP-së, personat që kanë dorëzuar kërkesat e tyre në vitin 2008 dhe nuk kanë përfituar për shkak të mbarimit të fondit të kompensimit, ata do të kenë më pak dokumentacion për të paraqitur. Ata do të plotësojnë vetëm formularët. Ky është viti i pestë që në buxhetin e shtetit parashikohet fond për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Për këtë vit pritet që të kompensohen financiarisht rreth 150 ish-pronarë, nga 600 që nuk përfituan vitin e kaluar. Procedurat e aplikimit janë të hapura edhe për ata qytetarë që nuk përfituan nga aplikimi i një viti më parë, por edhe për gjithë të interesuarit e tjerë që nuk kanë marrë pjesë asnjëherë më parë në këtë proces. Për ata që ishin të listuar në vitin 2008 dhe që nuk u shpallën fitues, aplikimi do të jetë vetëm me një kërkesë të thjeshtë pranë zyrave të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Box
Buxheti
Rreth 2,1 miliardë lekë parashikon të shpenzojë Qeveria deri në 2011-n për kompensimin financiar të ish-pronarëve. Në programin buxhetor afatmesëm, theksohet se nga viti në vit shifra e ish-pronarëve që do të përfitojnë të holla do të jetë rreth 500, ndërsa fondet do të shtohen rreth 100 milionë çdo vit. Në vitin 2009 kjo shifër është miratuar tashmë në vlerën 600 milionë lekë të reja, për vitin 2010 kjo shifër do të arrijë në 700 milionë lekë dhe në vitin 2011 plot 800 milionë lekë do të vihen në dispozicion të ish-pronarëve. Sipas programit, politikat konsistojnë në njohjen dhe respektimin e të drejtave të pronësisë së subjekteve të shpronësuara nëpërmjet njohjes së pronës, kthimit dhe kompensimit fizik e financiar.

Box
Riaplikimi
Edhe ata që kanë aplikuar një vit më parë, por nuk kanë përfituar pasi mbaroi fondi i vënë në dispozicion prej 500 mijë lekë të reja, kanë të drejtën legjitime që të aplikojnë serish. Ata duhet të plotësojnë vetëm dy formularët tip, një është kërkesa dhe tjetri deklarata, duhet të kenë dëshmi trashëgimie në rast se kanë ndryshuar trashëgimtarët nga viti 2008 dhe duhet të kenë prokurë të posaçme për ndryshimin e tyre. Ata që kanë kryer deklaratë të rreme përjashtohen menjëherë nga aplikimi. Subjektet e shpronësuara që kanë paraqitur kërkesën për kompensim në vitin 2005, 2006, 2007 dhe 2008, të cilët vërtetojnë shlyerjen e detyrimit, nuk e paguajnë tarifën e aplikimit për të përfituar në vitin 2009.

Dështon seanca e Gërdecit, mungonin të pandehurit

Tiranë - Ditën e djeshme ka dështuar seanca për procesin e “Gërdecit” në Gjykatën e Tiranës. Gjykata mori vendimin për shtyrjen e kësaj seance për në datën 23 korrik, për shkak të mungesës së disa prej të pandehurve. Një problem tjetër që u evidentua gjatë prezantimit të palëve ishte edhe fakti që disa nga avokatët mbrojtës nuk kishin prokurat e posaçme për të vijuar seancën.
Dosja "Gërdeci" mbërriti në gjykatën e Tiranës pas vendimit të 22 majit 2009, ku Gjykata e Lartë vendosi për ndarjen e saj dhe mbajti për gjykim vetëm ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Të akuzuarit, mes tyre Mihal Delijorgji, administrator i "Albademil", Ylli Pinari, ish-kreu i MEICO-s, si dhe disa ish-ushtarakë të lartë pritet të gjykohen nga gjykata e Tiranës. Në tragjedinë e Gërdecit, si pasojë e shpërthimit të një fabrike për çmontimin e municioneve gjetën vdekjen 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë.

Plagos komshiun për një rrugë kalimi
Shkodër - Çështjet e pronësisë janë bërë sërish shkak për konflikte. Një 50-vjeçar në Shkodër ka mbetur i plagosur nga fqinji i tij, pas një sherri për një rrugë kalimi. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00 të ditës së djeshme në lagjen Kiras në qytetin e Shkodrës, kur Enver Kryeziu ka qëlluar me armë Sabri Grudën. Mësohet se gjithçka ka nisur pas një grindjeje të ashpër mes autorit dhe të lënduarit, e cila ka degjeneruar më pas në të shtëna me armë. Për pasojë 50-vjeçari, Gruda i cili gjithashtu kishte me vete një çifte, ka mbetur i plagosur në këmbë nga fqinji i tij Enver Kryeziu. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë të cilat kanë arrestuar autorin e plagosjes dhe kanë sekuestruar armët. Burime nga policia e shkodrës konfirmojnë se shkak i sherrit mes tyre ka qenë një rrugë kalimi.

16 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›