E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Të shpallet rezultati, fyerje për shqiptarët mosnjohja e zgjedhjeve

 

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i kërkoi KQZ-së të shpallë sa më shpejt rezultatin e zgjedhjeve. Sipas tij, një zvarritje e tillë dëmton imazhin e vendit. “Dua të vlerësoj se shtyrja e vazhdueshme e shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nuk e ndihmon imazhin e Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s, dhe aq më tepër perspektivën tonë në procesin e integrimit evropian. Politikanët e të gjithë krahëve duhet të kuptojnë se këto zgjedhje nuk duhet të shtojnë pikëpyetje mbi perspektivën e vendit tonë, si një vend që ka aplikuar për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian”, u shpreh Meta. Ai i cilësoi fyerje për shqiptarët thirrjet për mosnjohje të zgjedhjeve.  “Politikanët e të gjithë krahëve duhet të kuptojnë se për hir të axhendave të tyre të ngushta politike personale, nuk mund të luajnë me stabilitetin, integrimin dhe të ardhmen e Shqipërisë.
Janë absurde pretendimet që ngrihen në vazhdimësi për mosnjohje të zgjedhjeve apo për përsëritje të tyre. Kjo është një fyerje e madhe për shqiptarët”, u shpreh kreu i LSI-së. Sipas Metës, ata që janë bashkautorë të Kodit Zgjedhor nuk mund të akuzojnë të tjerë për dështim të zgje-dhjeve. “Ata që kanë qenë hartues, miratues dhe kontrollues të Kodit dhe të administrimit të zgjedhjeve, me pretendime të tilla, nuk mund të lajnë duart nga përgjegjësitë e tyre të drejtpërdrejta për dështimin në garantimin e standardeve në zgjedhje”, tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›