Xhepa: Rishikimi i buxhetit, pasqyrim për nevojën dhe emergjencën
Drojë se kriza në eurozonë do vazhdojë
Qeveria ka kthyer në traditë rishikimin e buxhetit çdo gjysmë viti, për t’ju përgjigjur efekteve të mundshëm që mund të vijnë nga faktorë të jashtëm dhe me ndikim në ekonominë shqiptare. Edhe gjysma e dytë e këtij viti do ketë një buxhet të rishikuar. Eksperti i ekonomisë dhe njëherazi deputeti i Partisë Demokratike, Selami Xhepa shprehet se treguesit flasin për një lloj tkurrjeje dhe frenimi, që do të thotë se ashtu edhe siç mund të pritej, viti 2012 do të jetë një vit relativisht më i vështirë, krahasuar me periudhat e kaluara. “Të dhënat paraprake të hershme, dëshmojnë se ka një vështirësi në zhvillimin e sipërmarrjes qoftë nga treguesit dhe të ardhurat e buxhetit, por edhe treguesit e tjerë të tërthortë që lidhen me shitjet dhe kështu me radhë, tregojnë se ka një lloj tkurrjeje dhe frenimi që do të thotë se ashtu edhe siç mund të pritej viti 2012 do të jetë një vit relativisht më i vështirë, krahasuar me periudhat e kaluara. Fakti që deri tani ka patur një performancë nën nivelin e parashikuar, padyshim që mendojmë që në gjysmën e vitit do të ketë një rishikim, sërish të buxhetit. Sidoqoftë kjo mbetet për tu parë se si do jetë evoluimi i gjendjes së financave publike në tremujorin e dytë, në mënyrë që të krijohet një pamje më e drejtë për nevojën dhe emergjencën, për rishikimin në buxhet”- deklaroi Xhepa. Në kushtet ku po tenton të mbajë nën kontroll borxhin, qeveria nuk planifikon të dalë në tregun ndërkombëtar për të emetuar një eurobond të ri duke e përqendruar huamarrjen e saj në tregun e brendshëm dhe te marrëveshjet e kredisë me donatorët dhe vendet partnere. “Nuk besoj se do kemi dalje të menjëhershme në tregjet ndërkombëtare në formën e eurobondit, besoj edhe për shkak të situatës, së gjendjes së borxhit akoma në vendet e Europës dhe skepticizmit akoma të lartë të tregut në raport me borxhet qeveritare” - tha Xhepa.