E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova, ministri Imami përplaset me homologun serb

01/06/2010 Konferenca për NATO-n

Çështja e pavarësisë së Kosovës ka përplasur dje dy ministrat e Mbrojtjes, atë shqiptar Arben Imami dhe atë të Serbisë Drashko Jovanoviç. Konfrontimi deklarativ i dy homologëve për Kosovën është bërë në konferencën kushtuar NATO-s dhe integrimit të shteteve të Evropës Juglindore, që u mbajt në qytetin e Manastirit në Maqedoni. Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Jovanoviç, ka thënë se vendi i tij do ta kundërshtojë fuqishëm pavarësinë e Kosovës. “Serbia asnjëherë nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës, por me rëndësi është që Serbia të shfrytëzojë mjetet politike dhe juridike që të mbrojë sovranitetin e saj. Me rëndësi është që këtë çështje ta vendosim në tavolinë dhe të bisedojmë për të”, u shpreh ai. Por ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë Arben Imami, në kundërshtim me këtë deklaratë, tha se pavarësia e Kosovës është realitet dhe ajo duhet të bëhet pjesë e strukturave euroatlantike. “Mendoj se qëndrimi jonë është i qartë, nuk ka gjasa që Kosova të mbetet jashtë integrimeve euroatlantike. Shpresojmë që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur. Republika e Kosovës është realitet, dhe kjo duhet të merret në konsideratë. Perspektiva e këtij vendi të ri të rajonit është e lidhur me integrimin euroatlantik”, -deklaroi ministri Imami. Në konferencë nuk është ftuar ministri i mbrojtjes i Kosovës Fehmi Mujota, apo ndonjë përfaqësues i lartë i mbrojtjes i këtij vendi. Ajo është organizuar nga Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë në koordinim me Qendrën Rajonale për bashkëpunim në sferën e sigurisë RAKVIAK. Marrin pjesë ministri i mbrojtjes i Shqipërisë Arben Imami, i Kroacisë Branko Vukeliç, i Sllovenisë Lubica Jellushiç, i Turqisë Vexhdi Gonul, i Serbisë Drashko Jovanoviç, ndërsa Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina po përfaqësohen në nivel të zëvendësministrave dhe sekretarëve shtetëror të mbrojtjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›