Kosova ndër vendet që fut mallra pa doganë në Shtetet e Bashkuara
Uashington-Shtetet e Bashkuara përfshijnë Kosovën dhe Azerbagjanin në listën e shteteve që mund të eksportojnë produktet e tyre, pa iu nënshtrur taksave doganore. Lajmin e bëri të ditur Shtëpia e Bardhë. Kështu shkruhej në agjencinë prestigjioze të lajmeve Rojters.
Presidenti i SHBA, Xhorxh Bush ka shpallur vendimin që Kosovës t'i mundësohen disa lehtësira të caktuara tregtare në bazë të programit për Sistemin e Përgjithshëm Preferencial.
"Unë kam vendosur që Republika e Kosovës të emërohet si vend në zhvillim që gëzon perfitimet nga programi i Sisitemit te Pergjithshem Preferencial", thuhet në vendimin e Presidentit Bush që e bëri publik Shtëpia e Bardhë.
Vendimi i presidentit Bush i është dërguar Kongresit Amerikan që pritet ta miratojë së shpejti. Vendimi ka të bëjë me heqjen e taksave doganore për prodhime të caktuara, të cilat importohen në Shtetet e Bashkuara.
Sistemi i Përgjithshëm Preferencial është program i miratimit të lehtësimeve tregtare, të cilat SHBA-të i bëjnë për partnerët e tyre afaristë, në mënyrë që të mbështesin zhvillimin ekonomik të këtyre vendeve. Aktualisht programin e shfrytëzojnë më shumë se 140 vende.