Sylejman Selimi, në krye të Forcës së Sigurisë në Kosovë
Prishtine-Komandanti i tanishëm i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, gjeneral lejtnant Sylejman Selimi, është përzgjedhur për drejtimin e Forcës së Sigurisë, e cila është në themelim e sipër. Emërimi i tij formal u bë sot nga ana e presidentit Fatmir Sejdiu, një ditë pas propozimit të bërë nga kryeministri Hashim Thaci.
Gjenerali 38 vjecar, njëri nga themeluesit e ish Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, ka qenë kandidati i vetëm I propozuar për komandantin e Forcës së Sigurisë.
Zgjedhja e tij në këtë post është zvarritur për disa javë për shkak të sic thuhej "nevojës për konsultime shtesë ndërmjet krerëve të institucioneve të Kosovës". Dy ditë më parë, zyrtarë të NATO-s në Bruksel kritikuan udhëheqësit kosovarë për zvarrijet për formimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe emërimin e komandantit të saj.
Shefi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Gaimpaolo di Paola, tha se përkundër përgatitjeve që ka bërë NATO për fillimin e rektrutimit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë, procesi po vonohet për shkak të mosemërimit të komandantit të kësaj force nga ana e institucioneve të Kosovës. Lidhur me vonesat për përzgjedhjen e kreut të FSK-së janë bërë kritika edhe nga opozita.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se këto vonesa po ndikojnë negativisht në sigurinë e qytetarëve.