Kapen me marijuanë katër të rinj nga Tirana
Gjirokastër- Një sasi prej 42 kilogram lëndë narkotike është sekuestruar, ndërsa në pranga janë vënë 4 persona, të cilët do të kryenin transportin e saj. Gjithçka është kryer në kuadër të operacionit të koduar “Skai”. Droga kishte si destinacion Greqinë dhe transportohet nga katër të rinj që banonin në Tiranë.
Operacioni “Skai” u finalizua në aksin rrugor Përmet –Leskovik, duke kapur në flagrancë trafikantët e drogës së tipit Marijuanë. “operacioni u finalizua me sukses, me arrestimin e shtetasve dhe sekuestrimin 42 kilogramëve Marijuanë”, bëri të ditur sot zëdhënësi i policisë Gjirokastër, Gentian Mullai.
Të arrestuarit janë shtetasit Leonard Luzi, 26-vjeç, nga Tirana, Oljon Muçollari, 38 vjeç, nga Tirana, Jetmir Madani, 25 vjeç dhe Shkëlzen Matani, 20 vjeç të dy lindur në Tropojë dhe banues në Kamëz Tiranë. Ata po udhëtonin me dy automjete, përkatësisht Opel me targa të huaja BS 055 dhe Benz me targa TR 6928 J. “Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip Opel u konstatuan 3 çanta shpine të mbushura me pako në formë cilindrike të mbështjella me letër nartriban ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar si Mariuanë. Këta shtetas do të bënin transportin e kësaj lënde narkotike deri në tokën greke”, ka theksuar më tej Mullai. Ndërkaq, mbi 4 të arrestuarit rëndon vepra penale e ‘Trafikimit të lëndëve narkotike”.