E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova në 2-vjetorin e pavarësisë

Ethet e festës së pavarësisë së Kosovës tani më veç kanë filluar. Flamuri shtetëror i Kosovës, ai Kuq e Zi dhe flamujt të shumë shteteve tjera valëviten në sheshin kryesor të Prishtinës për nder të 2 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, festë kjo që kremtohet nga mbarë shqiptarët kudo që ndodhen ata. Shteti që sot feston 2 vjetorin e lindjes së tij, e kanë njohur deri më tani 65 vende nga mbarë bota.

"Për fat të mirë liria ka ardhur në njëfarë mase, por nuk jemi shumë edhe të kënaqur posaçërisht me pushtetin ekzistues, ka lëshime, ka të meta të cilat mendojmë që ndoshta të ardhmen duhet të përmirësohen", thotë një qytetar.

"Edhe unë e festoj ku do që ndodhem bashkë me popullin e rrethit të Tropojës. Dhe në emrin e të gjithë veteranëve të rrethit të Tropojës ju uroj gjithë popullit vëlla kosovar, Gëzuar Pavarësinë e Kosovës dhe kurrë nuk do të lëshojmë pavarësinë që të bie në duar të huaja", shprehet një tjetër qytetar.

"Kam ardhur për 2 vjetorin e lindjes së shtetit të Kosovës, ju uroj të gjithë Kosovës dhe Diasporës, që të kemi fat e jetë të lumtur dhe të gjatë dhe të përparoj shteti", shprehet një qytetar i Prishtinës.

Ndërsa,lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, tha se dyvjetori i pavarësisë së Kosovës,e gjen vendin përballë sfidave të mëdha. "Pavarësia nuk po kthehet mbrapa, por shtet-bërja është në sfidë. Ne besojmë shumë se do të dalim nga gjendja e tanishme. Dhe mendojmë se është momenti që të japim drejtim vendit. Besojmë se çdo dit që vonohemi me i dhënë drejtim vendit, ne po paguajmë një çmim të madh si Kosovë dhe si qytetar të Kosovës", tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së. Për nder të përvjetorit të dytë të pavarësisë,Parlamenti i Kosovës do të mbajë një seancë solemne dhe në të gjithë vendin do të organizohen manifestime kulturore.

Shkëlzen Osmani Azhornuar së fundi ( e mërkurë , 17 shkurt 2010 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›