Kosova, në Evropianin e futbollit...për robotë
Në pritje të njohjes së shtetit të ri nga organizmat e ndryshëm ndërkombëtarë, Kosova do të marrë pjesë në Evropianin e futbollit... atë për robotë. Ekipi i Robotëve të UBT-së, Skënderbeu do të marrë pjesë në këtë eveniment, që organizohet në Zyrih të Zvicrës nga 15 deri më 17 qershor. Në Kampionatin Evropian të Futbollit (FIRA), Kosova do të përfaqësohet me robotët e Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT). Ekipi përbëhet nga gjashtë anëtarë, të udhëhequr nga Rektori i Universitetit prof. dr. Edmond Hajrizi. Skënderbeu i UBT-së do të marrë pjesë në Ligën e Mesme, Middle League MiroSot. Më pas kampionati FIRA vazhdon në Linz të Austrisë, nga 19-23 qershor 2008. FIRA, Federata Ndërkombëtare e Asociacionit Evropian të Robotëve, e themeluar në vitin 2001, është organizatë që promovon robotët për argëtim dhe lojë në "kontinentin e vjetër". Ajo organizon kampionate të përvitshme të lojërave prezantuese ndërkombëtare, si dhe evenimente të tjera shkencore. Një lojë e futbollit të robotëve u zhvillua edhe në UBT, Kosovë, në vitin 2003. Futbolli i robotëve realizohet duke përdorur robotë, që nga ana e tyre janë të programuar të lëvizin. Një ekip i vërtetë i robotëve të futbollit përbëhet nga 11 lojtarë. Në bazë të numrit të robotëve në lojë përcaktohet edhe kategoria ose, më mirë, liga ku merr pjesë skuadra. Një nga robotët është portier, ndërsa të tjerët janë sulmues. Ashtu si edhe në sportin më popullor në botë, goli shënohet kur topi kalon vijën e portës. Fituesi vendoset në bazë të golave të shënuar. Sipas rregullave, robotët nuk duhet të jenë më të mëdhenj se 7,5 centimetra dhe është e ndaluar të lëvizin më shpejt se 12 km/h. Ndeshja e robotëve ka dy pjesë që zgjasin nga 5 minuta dhe koha ndalet nëse ndonjë prej robotëve dëmtohet dhe duhet të largohet nga fusha. Loja e robotëve është një shembull tipik i "Multi-Agent Systems" (MAS), makinat inteligjente që bashkëveprojnë.