E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuqezinjtë e vegjël, gati për sfidën me Gjermaninë

Përfaqësuesja shqiptare U19 do të luajë sot ndeshjen e parë të turit të dytë të Evropianit të kësaj grupmoshe, ku përballë do të ketë Gjermaninë. Trajneri Shehu ka zhvilluar një grumbullim njëjavor me futbollistët e përzgjedhur, të cilët kanë arritur ta kalojnë këtë kombëtare në turin e dytë, duke regjistruar rezultate mjaft të mira. Në raundin e parë të turneut, ata u klasifikuan të dytët në grupin 5, pas fitores 2-1 me Serbinë dhe barazimit 0-0 me Lihtenshtejnin, ndërsa u mundën 2-0 nga Spanja. Por tani, përballë do të kenë kundërshtarë edhe më të vështirë, duke filluar nga rivali i sotëm, Gjermania, e cila dy vjet më parë fitoi Evropianin U17 dhe ka pothuajse të njëjtin grup lojtarësh që nga ai sukses. Për trajneri Ramadan Shehu, problemi më i madh është reparti i sulmit, pasi për këtë sfidë të parë i mungon dyshja titullare e formuar nga Erjon Mustafaj i pezulluar dhe Mirgen Bushati i dëmtuar, i cili nuk do të luajë në asnjë prej tri ndeshjeve të turit të dytë. Duke parë forcën e kundërshtarëve, objektivi i Shqipërisë për raundin e dytë nuk është kualifikimi, por një renditje sa më e mirë në grup. "Ne kemi zhvilluar stërvitje intensive gjatë këtyre ditëve. E dimë që kemi një grup të fortë dhe që kundërshtarët tanë janë shumë të vështirë, por ne do të përpiqemi të japim maksimumin tonë dhe të luajmë me seriozitet në çdo ndeshje. Do të bëjmë më të mirën tonë për të vënë në vështirësi çdo kundërshtar", u shpreh trajneri Shehu. Sipas faqes së internetit të UEFA-s, lojtari më i mirë i përfaqësueses shqiptare është pa dyshim mbrojtësi Klodian Semina, i cili ka shkëlqyer në sezonin e tij të parë në kampionatin bullgar me fanellën e Belasica Petriç. Ndeshjet e grupit 4 zhvillohen në Sllovaki, e cila do të jetë kundërshtarja e dytë e Shqipërisë më datë 24 maj, ndërsa ndeshja e fundit në grup do të jetë përsëri ndaj një pretendenteje për kualifikimin, Kroacisë. Gjithsesi, ambiciet e vërteta të kombëtares shqiptare do të shihen vetëm pas përfundimit të ndeshjes së sotme ndaj Gjermanisë, e cila vlerësohet nga të gjithë si një nga skuadrat pretendente për fitimin e Evropianit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›