Kosova në FIFA, luan ndaj Turqisë

Blater dhe Vokrri
FIFA konfirmoi vendimin për lejimin e ndeshjeve miqësore të përfaqësueses së Kosovës me ato të vendeve të cilat e kanë njohur atë. Këtë lajm e kishte konfirmuar portali botasot.info duke u bazuar në deklaratën e Ali Sen, ish-kryetar i Fenerbaçes. Pas zhvillimeve të fundit, kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, ka mbajtur një konferencë shtypi, në të cilën pohoi se pas një sërë përpjekjesh FIFA më në fund ka vendosur që Kosovës ti lejohet të luajë ndeshje miqësore me përfaqësueset e vendeve, të cilat e kanë njohur si shtet më vete. Pranimi i kërkesës sonë është konfirmuar nga kabineti i presidentit të FIFA-s, Sep Blater. Gjatë gjithë procesit kemi pasur mbështetjen e madhe nga miqtë ndërkombëtarë. Ndërkaq, edhe pse vendimi është konfirmuar, tani presim shkresën e cila do të arrijë këto dy ditë dhe ne do të jemi të hapur për ta shpalosur atë para mediave, ka pohuar Vokrri. I pari i futbollit të Kosovës ka thënë se institucioni që ai drejton tani, ka për qëllim që FFK-ja sa më parë të jetë me të drejta të plota në FIFA. Tani na mbetet të punojmë që të pranohemi me të drejta të plota në FIFA. Besoj se falë bashkëpunimit me miqtë ndërkombëtarë dhe atyre vendorë, FFK-ja së shpejti do të jetë e barabartë me simotrat e tjera në shtëpinë më të madhe të futbollit. Ky është një hap i madh drejt ndërkombëtarizmit të plotë, ka konstatuar Fadil Vokrri. Deri më tani, skuadra përfaqësuese e Kosovës ka luajtur vetëm disa ndeshje miqësore me Shqipërinë e klube europiane të dorës së dytë apo të tretë, por që të gjitha jozyrtare dhe që nuk janë njohur nga FIFA.