Presidenti i ri SHBA BE e OSBE pershendesin zgjedhjen e Nishanit

Përfaqësuesit e trupit dimplomatik të akredituara në Tiranën zyrtare kanë përshëndetur zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, zotit Bujar Nishani. Kështu në deklarata të veçanta për shtyp, Ambasada e SHBA, ambasadori i BE-së, Ettore Sequi dhe kryetari i Prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth shprehen vlerësimet e tyre për zgjedhjen e një figure të tillë në krye të postin e Presidenti.
“Përgëzoj zotin Bujar Nishani për zgjedhjen e tij si President i Republikës së Shqipërisë.
Dëshiroj t'i uroj z. Nishani suksese si President, post i cili përfaqëson unitetin e popullit. Roli i Presidentit në konsolidimin e pavarësisë së institucioneve shtetërore të Shqipërisë dhe për të ndihmuar vendin në bashkimin e të gjitha përpjekjeve do të jetë me rëndësi të vendimtare për Shqipërinë për të përballuar me sukses sfidat në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”.
Gjithashtu dhe kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, mirëpriti zgjedhjen e Bujar Nishanit në postin e Presidentit të Shqipërisë.
"Zgjedhja e z. Nishani si president i ardhshëm i Shqipërisë është lajm i mirë. Ne e çmojmë punën e vendosur të Ministrit për shtetin e së drejtës, në projekte të shumta me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri. Unë jam i bindur se dija e tij e thellë dhe përvoja e gjerë do të bëjnë që ai t'i shërbejë vendit të tij në mënyrën më konstruktive," tha Wollfarth.
Nga ana e saj Ambasada e SHBA i përcjell urime të ngrohta zotit Bujar Nishani për zgjedhjen e tij sot si President i Republikës së Shqipërisë. Përmes një deklarate për shtyp kjo ambasadë ka vlerësuar maksimalisht një figurë të tillë.
“Në postin e tij aktual dhe ato të mëparshme qeveritare, zoti Nishani ka shërbyer në mënyrë të respektueshme dhe të përgëzueshme, si dhe ka bërë shumë për të çuar përpara marrëdhëniet e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
Shtetet e Bashkuara i urojnë suksese zotit Nishani dhe presin me kënaqësi të punojnë me të për të çuar përpara arritjet demokratike të fituara gjatë 21 viteve të shkuara. Në veçanti, do të mbështesim përpjekjet e tij për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të ruajtur pavarësinë e institucioneve të Shqipërisë, dhe, së bashku me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, për të realizuar aspiratat legjitime të popullit shqiptar për ta parë vendin të marrë vendin që i takon si një anëtar i integruar plotësisht në bashkësinë euro-atlantike”, thuhet në njoftim ambasadës amerikane.