Kosova nga New Yorku
Çdo katër vjet, tifozët në mbarë botën përforcojnë ndjenjën e patriotizmit dhe krenarisë kombëtare nëpërmjet Kampionatit botëror në futboll. Por, jo të gjitha shtetet mund të kualifikohen për garën kryesore të futbollit botëror, ndërsa disa të tjera as nuk kanë mundësinë për të synuar kualifikimin.
I tillë është fati i Kosovës. Kosova shpalli pavarësimin e saj nga Serbia më 2008, por ende nuk njihet nga Kombet e Bashkuara dhe federata e saj e futbollit nuk njihet nga FIFA. Andaj, futbolli kosovar në arenën ndërkombëtare mbetet i izoluar.
Por, kjo nuk do të thotë se një ekip kosovar nuk mund të luajë në New York. Zef Kabashi është një kosovar amerikan, i njohur në skenën e futbollit në New York dhe ka organizuar një ekip të Kosovës për të marr pjesë në Cosmos Copa NYC. Ky është një Kampionat botëror i New Yorkut, që me kalimin e kohës është bërë garë e rëndësishme në qytet.
“Kosova nuk është e pranuar nga FIFA, as nuk është e njohur nga UEFA. Por, ajo mund të luajë në këtë garë dhe do të ishte arritje e madhe të fillojmë në rrugën e duhur”, tha Kabashi për New York Times.
“Mendoj se gjithçka fillon këtu në New York. Ky është kryeqyteti i botës dhe gjithçka që fillon këtu, mund të shpërndahet anembanë oqeanit”, shtoi ai. Kosova është njëra prej 22 “ekipeve kombëtare” që lufton për tetë pozitat në shortin kryesor të Copa NYC.
Ajo do të takohet me Ganën në ndeshjen e drejtpërdrejtë në ‘One Shot Saturday’ më 18 qershor, në Parade Grounds në Brooklyn. Nëse e fiton këtë takim, Kosova do të zhvillojë dy ndeshje të play-offit nga 60 minuta më 19 qershor, në College of Staten Island për të siguruar pjesëmarrjen në shortin kryesor.
Për Kabashin, simbolika afatshkurtër e këtij ekipi është pjesë e një vizioni për komunitetin kosovar në New York.
“Shpresoj t’i bashkoj të gjithë. Ky është synimi. Pa marrë parasysh a vijnë nga Staten Island, Bronx, Brooklyn, Queens, Manhattan ose Long Island, ne duam të bashkojmë komunitetin dhe prej këtu të fillojmë zhvillimin e një programi për futbollistë të rinj”, u shpreh Kabashi.
Megjithatë, ka paralele mes futbollit kosovar në New York dhe atij ndërkombëtar. Futbollistët që vendosin të luajnë për Kosovën në Cosmoc Copa NYC i pret një vendim i vështirë, njësoj si shumica e futbollistëve shqiptarë nga Kosova, që duke mos pasur mundësi që me Kosovën të marrin pjesë në gara evropiane, vendosin të luajnë për shtete të tjera, duke përfshirë Shqipërinë, Zvicrën dhe Finlandën, skuadra të cilat në përbërje kanë futbollistë kosovarë.
“Kur kam menduar të hyjmë në garën e vitit 2010, hezitoja sepse nuk më pëlqente ndjenja e ndarjes nga Shqipëria. Kësaj radhe kam paraqitur kërkesën për pjesëmarrje për shqiptarët e Kosovës, sepse mendoj se njerëzit e këtij vendi të pasluftës tani shteti më i ri në Evropë, duhet të njihen”, theksoi ai.
Të gjitha ekipet kombëtare në Copa NYC 2011 do të kenë një ndjenjë të krenarisë, pasi të bartin fanellat e tyre, sidomos për kosovarët. “Paraqitjet për Shqipërinë ishin përplot krenari. Të luajmë tani për Kosovën është një moment tensioni për shkak të gjithë asaj që ndodhi me kalimin e viteve. Prindërit e mi kanë lindur atje dhe jetuan në atë tokë. Mendoj se flas në emër të gjithë futbollistëve që do të luajnë për Kosovën këtë vit, do të jetë një ndjenjë krenarie, plot emocione. Kjo është për shtëpinë tonë”, u shpreh Kabashi.
Edhe pse mund të kalojnë vite derisa ky shtet i ri të ketë rastin për të marrë pjesë në gara ndërkombëtare, ndjenja është se fillimi vjen nga diaspora e saj.
“Me Kosovën e shoh një të ardhme. Do të ketë kohë për përmirësime, për t’u zhvilluar, por na pret një rrugë e gjatë. Sa i përket futbollit, mendoj se mund të depërtojmë, edhe si shtet”, përfundoi ai.