Muçiqi e Fetahu ne ‘bela’ me Federatën
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) po bëhet gati që t’i qesë para ‘gjyqit’ ata që folën për kurdisje të ndeshjeve gjatë këtij sezonin në Superligë.
Nënkryetari i Prishtinës, Afrim Muçiqi dhe futbollisti i Trepçës, Enis Fetahu do të jenë të detyruar të japin përgjegjësi pas deklaratave të dhëna nëpër media rreth kurdisjeve të ndeshjeve dhe parregullsive.
“Komisioni Disiplinor ka hapur procedurë disiplinore ndaj Afrim Muçiqit dhe Enis Fetahut, për deklaratat e tyre nëpër media. Ata duhet të deklarohen në Federatë në periudhën prej 8 ditësh. Nëse kanë fakte, janë të mirëseardhur, por duhet të deklarohen gjithsesi. Në të kundërtën, mund të ndërmerren dënime të ashpra ndaj tyre”, tha për Express sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.
Por, nënkryetari i bardhekaltërve as që e ka ndërmend të deklarohet në shtëpinë e futbollit kosovar. Madje, ai ka vazhduar kritikat ndaj krerëve të futbollit kosovar.
“E përsëris edhe një herë, ky kampionat ishte i parregullt, i kurdisur. Inicimi i procedurës disiplinore ndaj meje është qesharak. Askush nuk mund të ma ndalojë të flas. Kanë kaluar ato kohëra, nuk po jetojmë në kohën e Titos. Po akuzohet Blatteri, i cili quhet si dinozaur dhe i korruptuar, e lëre më njerëzit që po e rrënojnë futbollin e Kosovës. Unë qëndroj prapa të gjitha atyre deklaratave që i kam dhënë më parë. Të gjithë e dinë se çka bëhet në futbollin kosovar, unë nuk kam shpikur asgjë. Ka ardhur koha që të largohen mbeturinat e komunizmit nga udhëheqja e futbollit kosovar”, ka thënë Muçiqi të mërkurën.
Ndër të tjera, ai përmend pikërisht ndeshjen Hysi-Besa, e cila sipas tij, e vendosi kampionatin, pas gabimit të gjyqtarit Muhedin Ferati, i cili në këtë takim dha penallti për skuadrën llapjane. Gjithashtu, Muçiqi deklaron se Prishtinës iu bë e padrejtë në humbjet që pësoi nga Ballkani dhe nga Ferizaj.
“Po thonë se Prishtina e humbi titullin. Nuk është asnjë problem, Prishtina është fitues moral. Në futbollin kosovar ka parregullsi të mëdha, kurdisje, korrupsion etj. Këta njerëz dëshirojnë t’u ikin përgjegjësive të tyre, duke u munduar të hapin procedura. Unë nuk e kam ndërmend fare që të deklarohem në Federatë për ato që i kam thënë”, insiston Muçiqi.
Akuzave të Muçiqit nuk ua lë mangut as sulmuesi Enis Fetahu, i cili nuk planifikon të deklarohet në Federatë, e as që frikësohet për ndonjë sanksionim ndaj tij.
“As që e kam ndërmend të deklarohem te njerëzit, të cilët i ka shkelur rrota e historisë. Me këto inicime të procedurave po mundohen t’i frikësohen të tjerët, që mos të flasin. Unë do të deklarohem vetëm përpara institucioneve, duke nisur prej ministrit të Sportit, të cilëve do t’ua jap faktet dhe argumentet që kam për 3-4 ndeshje të kurdisura. Me këtë rast, nëse vërtetohen këto, atëherë do të kërkoj largimin e menjëhershëm të udhëheqësve të futbollit kosovar nga postet e tyre”, deklaroi futbollisti kosovar.
Këtë sezon, pati shumë akuza të ndërsjella ndërmjet zyrtarëve të klubeve për kurdisje të ndeshjeve por, për momentin asgjë nuk është vërtetuar rreth këtyre akuzave, edhe pse disa persona pohojnë se kanë fakte.