E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova njeh kundërshtarët

Tetë skuadra kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në turneun ndërkombëtar të basketbollit "Kupa e V e Mbretit Abdullah II" që do të zhvillohet në kryeqytetin jordanez Aman prej 16 deri më 24 nëntor. Federata e Basketbollit të Jordanisë në një konferencë për shtyp të mbajtur të mërkurën ka treguar listën e skuadra pjesëmarrëse, njofton "asia-basket.com".
Kosova do të jetë përfaqësuesja e vetme joarabe në këtë turne, në të cilin ishte paraparë që të merrnin pjesë edhe skuadra nga Evropa, Amerika e Azia. Kombëtarja e Libanit, pjesëmarrëse në botërorin e fundit të basketbollit "Japonia 2006", që ishte paraparë të marrë pjesë në këtë turne do të zëvendësohet nga skuadra Sporting Al Riyadi e Bejrutit, ndërsa të gjitha formacionet e tjera do të jenë skuadra përfaqësuese.
Egjipti është i vetmi kundërshtar i njohur për përfaqësuesen e Kosovës në turne, pasi vitin e kaluar kosovarët kishin arritur që të mposhtnin me rezultatin 79:77 në turneun "Aleksandria 2005". Përvec Egjiptit, që është në pozitën e 40-të të renditjes botërore të FIBA-së, skuadra të vështira duken edhe përfaqësueset Algjeria që është e 39-ta dhe Tunizia që renditet në pozitën e 31-të, megjithatë nuk janë dhënë informacione nëse të gjitha skuadrat do të udhëtojnë me përbërjen e tyre më të fortë.
Sistemi i garave të turneut do të ndajë skuadrat në dy grupe ku secili do të luajë me secilin, ndërsa më pas skuadra e parë e njërit grup do të luajë me ekipin e renditur të fundit në grupin tjetër, ndërsa ekipi i dytë i njërit grup do të luajë me të tretin e grupit tjetër. Fituesit e këtyre përballjeve kualifikohen në gjysmëfinale. Shorti për ndarjen e skuadrave në dy grupe do të mbahet një ditë para fillimit të turneut më 15 nëntor.

Skuadrat pjesëmarrëse në "Kupa e V e Mbretit Abdullah II"
Jordania
Siria
Kosova
Sporting Al Riyadi Beirut (Liban)
Algjeria
Tunizia
Emiratet e Bashkuara Arabe
Egjipti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›