Letra e “gruas merimangë” drejtuar burrit: “Kam mashtruar se më kërcënonin me vdekje”
ATHINË - Shqiptarja Evangjelina Zharga ka zbuluar detaje nga jeta e saj dhe mashtrimet e kryera. Gjatë mbrëmjes së dy ditëve më parë media greke ka zbuluar një bllok me 45 fletë që 54-vjeçarja i ka dërguar bashkëshortit para se ai të ndërronte jetë në spital. Në letrën e bërë publike është mësuar se mashtrimet dhe falsifikimet e 54-vjeçares minoritare nuk kanë fund. Ajo shkruan aty se ka mashtruar dhjetëra shqiptarë, të cilëve u premtonte se do t’u siguronte viza për në Amerikë. Në një prej televizioneve greke, gjatë mbrëmjes së dy ditëve më parë është publikuar letra që 54-vjeçarja ia dërgonte ish-bashkëshortit të saj, i cili ka qenë pjesëtar në vrasjen e më pas betonimin e biznesmenit grek, Tasos Tsagoropulos, 42 vjeç. Në letër Zharga shkruante të gjitha mashtrimet që kishte bërë dhe kush e kërcënonte. Në radhët e letrës janë gjendur dëshmi dhe për kohën kur ajo kishte qëndruar në Amerikë. "Më fal i dashur që të kam mashtruar e të kam gënjyer. Ishin disa persona që më kërcënonin me vdekje dhe isha e detyruar. U kërkoj falje njerëzve që kam mashtruar. Shqiptarëve që u kam marrë paratë, një pjesë të madhe ua kam kthyer”, - thotë 54-vjeçarja minoritare me shumë emra, e cila operonte në më shumë se 15 qytete greke dhe më pas në Amerikë. “Edhe në Amerikë më ndiqnin. Më takuan në Los Anxhelos dhe më kërcënuan duke më thënë se nëse nuk u jepja para do të më vrisnin. Aty nuk munda të fitoj dot shumë para nga mashtrimet. Kisha fituar vetëm 7000 dollarë. Nuk më besonin ata që më kërcënonin dhe u detyrova të t’i marr ty", - shkruhet në disa prej rreshtave të letrës.
Policia greke dyshon se letra mund të jetë shkruar në momentin që 54-vjeçarja shqiptare Evangjelina Zharga e kishte kuptuar se do të arrestohej dhe i parapriu. Me këtë letër ajo e nxjerr veten si një viktimë e kërcënimit. Policia tha se ka nisur hetimet për të zbardhur emrat dhe llogaritë që ajo përmend në letër.
Vdes aksidentalisht i mituri, u mbyt në kovën me ujë
ELBASAN - Dy persona kanë gjetur vdekjen në Elbasan në mënyrë aksidentale dhe njëri prej viktimave është një fëmijë vetëm 10 muajsh. Burime zyrtare nga policia lokale thanë se tri ditë më parë është gjetur i vdekur në banesën e tij, pasi kishte rënë me kokë në një kovë me ujë, i mituri Sabian Baku, vetëm 10 muajsh. Burime zyrtare treguan se “në datën 25 qershor, në orën 18:00, një telefonatë ka njoftuar se në fshatin Gjolene, komuna Kajan-Elbasan, në banesë ka gjetur vdekjen i mituri Sabian Baku, 10 muajsh, i cili është gjetur nga familjarët e tij në njërën nga dhomat e banesës, në pozicionin me kokë brenda në një kovë me ujë. Policia tha se nga hetimet është mësuar se ngjarja ka ndodhur aksidentalisht.
Dy ditë më parë, në orën 09:30, në Spitalin kirurgjik Elbasan, është dërguar i vdekur nga të afërmit e tij 73-vjeçari Kostandin Drizari, banues në fshatin Mjekës, komuna Shirgjan. Policia ka shkuar në vendngjarje dhe pas hetimeve, këqyrjes së kufomës dhe nga deklarimet e të afërmve të tij, është arritur në përfundimin se ai, pranë banesës së tij, aksidentalisht është rrëzuar nga një pemë dhe si pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Për të dyja rastet, dosjet me materiale i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.
29 Qershor 2010