Konkurrenca: “Kompanitë e gazit kanë krijuar oligopol, nuk ulin çmimin”
Ervin KOÇI
Tregu i gazit të lëngshëm në vend është vënë kohët e fundit në sitën e Autoritet të Konkurrencës. Ky i fundit, pasi e ka hetuar të gjithë veprimtarinë e kompanive që merren me importimin, depozitimin dhe tregtimin e gazit, në fillimi të muajit të ardhshëm (1 korrik 2010) do të bëjë publike rezultatet e hetimit. Autoriteti pasi ka mbledhur dhe përpunuar të dhëna të ndryshme mbi këtë treg, ka ngritur pretendimin se tregtimi apo dhe depozitimi i gazit në vend është mbështjellë nga një skemë monopoliste, e cila mban peng liberalizimin e çmimeve të këtij produkti konsumi, për të cilin Shqipëria ka çmimin më të shtrenjtë në rajon. Në raportin që pritet të publikohet në fillim të muajit korrik, AK-ja do të bëjë transparente të gjitha procedurat dhe detajet se si kompanitë e gazit veprojnë duke rënë në ujdi me njëra-tjetrën për të mbajtur çmime të larta në tregun e pakicës për gazin e lëngshëm, por edhe se si ato bllokojnë edhe pikat e depozitimit të gazit duke mos lënë shoqëri të tjera për të importuar me çmime konkurruese këtë mall. Pas hetimit paraprak, AK-ja pritet të marrë një vendim të cilin do ta bëjë dhe publik, i cili bën fjalë për koncesionarin “Petrolifera” në Vlorë, veprimet e të cilës, sipas Autoritetit kanë sjellë shtrembërim të tregut dhe ulje të konkurrencës. Kjo gjë për pasojë ka sjellë dhe rritjen e çmimit të gazit të lëngshëm në treg, duke rënduar e gjitha në kurrizin e konsumatorit shqiptar.
Kompanitë
Aktualisht në tregun e gazit në vend, nga pesë kompani kryesore, vetëm dy janë duke importuar dhe përfituar njëkohësisht nga mungesa e konkurrencës. Për pasojë kjo gjë ka bërë që ato të kenë ndikim direkt tek çmimi i gazit të lëngshëm në treg. Tri kompanitë e tjera të licencuara, tani i mungojnë këtij tregu pasi nuk po munden të depozitojnë produktin e tyre për shkak se nuk ka vend të lirë depozitimi. Shkak për krijimin e kësaj situate janë depozitat e pakta në dispozicion të gazit, që ndodhen në Porto Romano të Durrësit dhe “Petrolifera” e Vlorës. Këto dy porte janë dhënë me koncesion nga qeveria dhe janë të vetmet ku lejohet shkarkimi i gazit të lëngshëm. Në muajin mars, Komisioni i Konkurrencës kishte paralajmëruar koncesionarin “Petrolifera” që të zbatonte rregullat e tregut, sikurse e parashikonte ligji, duke i vendosur afate, në të kundërt do të vendosej gjoba. Me sa duket, situata ka mbetur e njëjtë, duke e detyruar Autoritetin të marrë hapin final të thellimit të inspektimit dhe vendimin final në muajin korrik. AK-ja pas shqetësimeve publike të shprehura në media, ankesave të ndërmarrjeve që operojnë në tregun e importit të gazit të lëngshëm të naftës, si dhe të shqetësimeve të adresuara nga Ministria e Ekonomisë, ka filluar, në 10-ditorin e fundit të muajit shkurt, procedurën e hetimit paraprak në tregun e shërbimit të ngarkim-shkarkimit dhe depozitimit të gazit të lëngshëm. Tashmë, pas tregut të naftës që lidhej me fiksimin e çmimeve, një tjetër hetim prek sektorin e gazit, i cili është jo pak i rëndësishëm, po të kihet parasysh xhiroja rreth 40 milionë dollarë.
Hetimi
Vendimi numër 148 për ta thelluar akoma e më tej hetimin në tregun e ngarkim-shkarkimit dhe depozitimit të gazit (GLN), është marrë më 24 qershor. Në bazë të vendimit të fundit, AK-ja ka përcaktuar fazat e kryerjes së hetimit të thelluar, duke kaluar në inspektime në ndërmarrjet nën hetim, mbledhjen e informacioneve të nevojshme dhe plotësuese, si dhe përpunimin e të dhënave dhe vlerësimi i informacionit të mbledhur, në mënyrë që të hartojë Raportin e Ndërmjetëm brenda datës 1 korrik 2010. Po brenda kësaj periudhe, Autoriteti duhet të mbyllë edhe Raportin Përfundimtar të Hetimit të Thelluar dhe paraqitjen e tij përpara komisionit. Gjatë këtij hetimi rezulton se porti “Vlora-1” i është dhënë me koncesion nga shteti ndërmarrjes “La Petrolifera Italo Rumena” SPA, për ndërtimin dhe shfrytëzimin e terminalit bregdetar, për depozitimin e naftës dhe të nënprodukteve të saj në gjirin e Vlorës, si dhe për shfrytëzimin e infrastrukturës portuale në shërbim të terminalit bregdetar. Ky terminal sipas marrëveshjes do të funksionojë si një terminal shërbimesh të pavarura, i hapur për të gjithë operatorët e kualifikuar, veçanërisht në industrinë e naftës dhe koncesionarit nuk i lejohet të ushtrojë veprimtari tregtare për naftë, gaz dhe nënproduktet e tyre. “Këto të drejta i janë dhënë këtij koncesionari në mënyrë ekskluzive”,- thuhet në raportin paraprak të publikuar në mars 2010. “Tregu i shërbimit të ngarkim-shkarkimit dhe depozitimit të hidrokarbureve, megjithëse funksionon si një treg i liberalizuar për sa i përket aktivitetit të import/eksportit në rrugë detare të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, kjo veprimtari realizohet vetëm nëpërmjet dy porteve të naftës në zonën e ish-uzinës së ‘Sodës PVC-së’ në gjirin e Vlorës dhe në zonën e Porto Romanos në Durrës, porte të cilat janë ndërtuar dhe funksionojnë mbi bazën e marrëveshjeve të koncesionit përkatësisht me ndërmarrjet ‘La Petrolifera Italo-Albanese’ dhe ‘Porto Romano’, duke pasur të ‘drejtën ekskluzive’ për këtë lloj shërbimi”,- thuhet në raportin e AK-së.
29 Qershor 2010