Nis “stina e aksidenteve”, dy të vdekur dhe shumë të plagosur
Artan CENA
TIRANË - Nis “stina e aksidenteve”. Nga burimet zyrtare të Policisë është bërë e ditur se gjatë fundjavës dhe ditës së djeshme kanë ndodhur shtatë aksidente me 2 të vdekur dhe shumë të plagosur, mes të cilëve dhe një qytetar nga Sllovakia. Përplasjet më të rënda kanë ndodhur në qytetin e Durrësit, ku janë shënuar viktima. Pasditen e djeshme ka ndodhur një përplasje mes tri makinave, ku u plagosën pesë persona.
Viktimat
Dy aksidente me vdekje kanë ndodhur në qytetin e Durrësit. Burime zyrtare nga Policia
kanë bërë të ditur se një kalimtar është aksidentuar për vdekje rreth orës 10:30 të paradites së djeshme në qytetin e Durrësit. Ngjarja ndodhi pranë sheshit “Pranvera” në Durrës, ku një autobus urban plot me pasagjerë që po kalonte në shesh përplasi 27-vjeçarin Julian Shiti, që po kalonte rrugën në ato momente. Përplasja ka rezultuar fatale për të riun që ka mbetur i vdekur nga plagët e marra.
Gjithashtu, dy ditë më parë rreth orës 21:45, në autostradën Tiranë-Durrës, pikërisht në vendin e quajtur Mbikalimi i Sukthit, Margarit Kume, 45 vjeç, banues në Tiranë, duke drejtuar mjetin fuoristrade “Mitsubishi” me targë TR 2999 P, ka aksidentuar me pasojë vdekjen këmbësorin Flamur Laçi, 57 vjeç, banues në Sukth.
Përplasjet
Aksident rrugor me përfshirjen e tri makinave ka ndodhur mesditën e djeshme në aksin Lezhë-Shkodër dhe për pasojë janë plagosur 5 persona. Ngjarja ndodhi pranë fshatit Dajç. Sipas informacioneve, janë plagosur rëndë Prek dhe Zoja Gjoka, përkatësisht 60 dhe 54 vjeç, që udhëtonin me një automjet “Volkswagen” me targa të Tiranës. Të plagosur kanë ngelur dhe Arben Loku, 44 vjeç, drejtues i automjetit tip “Mercedes” me targa të Shkodrës dhe dy qytetarë italianë, Giovani Altovilla 42 vjeç dhe Alessia Iantola, 40 vjeçe, pasagjerë në automjetin tip “Mercedes”.
Aksidenti i sllovakut
Burime nga Policia e Tiranës thanë dje se kanë bërë arrestimin në flagrancë të Serxho Papas, 19 vjeç, banues në Tiranës. Ndalimi i tij është bërë pasi, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë kryqëzimit të Ministrisë së Brendshme, duke drejtuar automjetin fuoristradë tip “BMW”, me targë TR 8383 S, nga hotel “Dajti” drejt sheshit “Skënderbej”, ka aksidentuar shtetasin sllovak Lubor Kralik, 43 vjeç, banues në Bratislavë, me shtetësi dhe kombësi sllovake, i cili në momentin e përplasjes po tentonte të kalonte nga njëri krah i rrugës në krahun tjetër. I aksidentuari u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.
Nën hetim
Ndërkaq, të shumtë janë drejtuesit e automjeteve që janë vënë në hetim në gjendje të lirë. Policia e Durrësit tha se 56-vjeçari me inicialet N. P. është vënë nën hetim pasi ka shkaktuar një aksident në segmentin rrugor Nish-Tulla-Fshat Rinia. Hetim është nisur dhe ndaj 20-vjeçarit me inicialet B. M., pasi duke udhëtuar me një makinë tip “Benz”, është përplasur me një kalë, duke plagosur lehtë shokun e tij që ishte pasagjer në makinë. Dhe një tjetër i ri është vënë në hetim, pasi duke udhëtuar me shpejtësi me motoçikletë është përplasur me një makinë të parkuar dhe është plagosur. Policia tha se, G. A., 20 vjeç, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
29 Qershor 2010