E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova nuk është peng i askujt

05/04/2005  Shqiptarët e Kosovës, që përbëjnë shumicën absolute të popullatës, nuk duhet të mbeten peng i minoritetit serb që është pakicë absolute. Ky minoritet gjatë gjithë historisë së re, pra që nga momenti kur erdhën në Kosovë si kolonistë, ishin instrument i Beogradit dhe vegël për dhunë e për t’ua nxirë jetën shqiptarëve. Në të mirë të tyre është që të mendojnë me kokën e vet

Debatet për statusin final të Kosovës, përkatësisht për pavarësinë, tashmë kanë hyrë në fazën finale. Sipas deklarimit të faktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë është çështje muajsh, kur do të fillojnë bisedimet për këtë problem fundamental jo vetëm për ne, por edhe për gjithë rajonin. Shumica e analistëve, por edhe e politikanëve ndërkombëtarë me peshë, tashmë është fare e vetëdijshme se pavarësia e Kosovës është zgjidhja më e mirë dhe opsioni i vetëm që do të pranohet nga shqiptarët. Eksperimentimet ndryshe do të jenë tepër të rrezikshme, sepse duke ushqyer oreksin e dikujt, të tjerët do të mbeten të pakënaqur, në këtë rast shqiptarët. Ndërkaq, pakënaqësia do ta destabilizonte gjithë rajonin. Kjo tashmë është fakt i ditur dhe i pritur. Megjithatë ka hezitime, sidomos hezitimet janë të dukshme nga disa shtete evropiane, të cilat me vështirësi po e ndryshojnë konceptin e hartave të vjetra e të padrejta, të imponuara me dhunë dhe të dëshmuara si zgjidhje të dështuara, që patën haraç të madh në gjak. Shqiptarët e kanë paguar shtrenjtë dështimin e kaluar të politikës ndërkombëtare.

Nga ky fakt dhe nga shumë arsye të tjera kthim prapa nuk ka.

Se Kosova tashmë është territor i humbur për Serbinë, janë të vetëdijshëm pjesa më e madhe e serbëve. Të tjerët mund t’ia bëjnë qejfin vetes, apo të kalkulojnë, duke u përpjekur të zhvasin sa më shumë që është e mundur, ose në rastin tjetër të përfitojnë ndonjë koncesion nga bashkësia ndërkombëtare, sepse Kosova nuk do të jetë kurrë në asnjë bashkësi me Serbinë.

Institucionet e Kosovës dhe subjektet e tjera politike, të vetëdijshëm se duhet të jenë shumë kooperativë me bashkësinë ndërkombëtare, me miqtë dhe me ata që kanë më pak disponim miqësor, u bënë copa që t’i plotësojnë kërkesat e ndryshme, duke sinjalizuar kështu se do t’i plotësojmë të gjitha kushtet sipas konventave ndërkombëtare. Prandaj, ashtu sikurse që ka disponim dhe përcaktim të përgjithshëm për pavarësinë e Kosovës me ndonjë përjashtim të ndonjë mercenari, po ashtu ka disponim që të plotësohen sugjerimet e SHBA-ve dhe të BE-së. Natyrisht kjo duhet të jetë në suaza të mundësive, kështu që as standardet dhe as sugjerimet e tjera të mos jenë lak në fyt për Kosovës, ndërsa në emër të këtyre standardeve të mos gjendet shkasi për zvarritjen e shqyrtimit të statusit përfundimtar - pavarësisë.

Po ashtu është e ditur se shqiptarët e Kosovës, që përbëjnë shumicën absolute të popullatës, nuk duhet të mbeten peng i minoritetit serb, që është pakicë absolute. Ky minoritet gjatë gjithë historisë së re, pra që nga momenti kur erdhën në Kosovë si kolonistë, ishin instrument i Beogradit dhe vegël për dhunë e për t’ua nxirë jetën shqiptarëve. Në një moment të caktuar, ky instrumentalizim u bë kobë për ta, sepse siç thuhet në popull të gjitha këputën prej së holli, ndërsa zullumi prej së trashi. Instrumentalizimi i tyre i mëtutjeshëm do të jetë i dëmshëm sa për shqiptarët po aq edhe për serbët, meqë Beogradi këtë popullatë që dikur e shpërbleu me pasurinë e shqiptarëve të Kosovës gjithherë e ka konsideruar instrument për të bërë pazare. Deri me tash realisht në shumë segmente po bëhemi pengë e këtij minoriteti dhe i Serbisë, që nuk është e gatshme as sot dhe as në mot të bisedoj për statusin e Kosovës, sepse Beogradi çdo bisedë, qoftë edhe për gjëra banale, është në gjendje ta zvarrisë në pakufi. Prandaj në të mirë të minoritetit serbë është që të mendojnë me kokën e vet, duke mos e zgjatur kokën nga Beogradi, ndërsa duan të jetojnë në shtetin e Kosovës. Sidomos priftërinjtë dhe kisha serbe janë tepër destruktivë. Ishin të tillë gjatë gjithë historisë, por nxorën në shesh tërbimin e tyre në periudhën e kriminelit Milosheviç, duke e mbështetur këtë dhe duke e cytur për luftë, sepse me bredhjet e tyre histerike në Bosnjë-Hercegovinë, në Kroaci, Kosovë e gjetiu me eshtrat e shpifur të heronjve të tyre të shpifur përcaktuan vijën e demarkacionit dhe kufijtë ku do të bëhen masakrat. Me veprime konkrete të refuzimit të çdo bashkëpunimi me institucionet e Kosovës, ata edhe sot e kësaj dite rezistojnë, duke shpërndarë frymën e një ideologjie të retarduar e destruktive. Shpifjet dhe vajtimet e shtira, janë instrument tjetër i kishës serbe për të bërë presion mbi bashkësinë ndërkombëtare dhe për të çimentuar qëndrimin e vjetër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›