Kosova nuk ka çështje të hapura me Maqedoninë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti të premten në takim zëvendëskryeministrin e Republikës së Maqedonisë, Musa Xhaferi. Ajo e uroi zëvendëskryeministrin e Maqedonisë për zgjedhjet dhe për krijimin e koalicionit qeverisës.
Presidentja Jahjaga, vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe dhe tha se ato do të vazhdojnë të thellohen në të gjitha fushat. Sipas saj, Republika e Kosovës me Republikën e Maqedonisë nuk ka asnjë çështje të hapur dhe e vlerësoi si të rëndësishëm vazhdimin e projektit të autostradës Prishtinë-Shkup, si dhe hapjen e një pike të përbashkët kufitare, ndërmjet dy vendeve.
Nga ana e tij, zëvendëskryeministri i Maqedonisë i vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve si shumë të mira dhe tha se është i rëndësishëm thellimi i bashkëpunimit në fusha të ndryshme, në veçanti në fushën e ekonomisë. Ai tha se të dyja vendet duhet të ndihmojnë njëra-tjetrën në proceset integruese dhe t`i japin përkrahje nismave rajonale.
Xhaferi tha se Maqedonia i jep mbështetje të plotë Kosovës, integritetit tokësor dhe sovranitetit të saj dhe e cilësoi të papranueshme ndarjen e Kosovës në vija etnike. Ai u angazhua për shtimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, që ndihmon në stabilitetin e rajonit.