E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova nuk rrezikohet nga terrorizmi

Policia e Kosovës thotë se nuk ka rrezik të sulmeve terroriste në vend. Ky vlerësim vjen pas lajmit se, edhe Kosova ishte synim i një sulmi të tillë. Analistët theksojnë se, gjithsesi Kosova nuk është e mbrojtur ndaj terrorizmit.

Kosovari Hysen Sherifi, i arrestuar nga autoritetet amerikane, bashkë me 6 persona të tjerë në Karolinën Veriore, është nga Gjilani. Ai, bashkë me 6 personat e arrestuar tashmë, akuzohet për terrorizëm. Policia e Kosovës konfirmoi se herën e fundit Sherifi ka qenë në Kosovë në korrik të vitit 2008. Autoritetet e Kosovës ia kanë dorëzuar shtetit amerikan të gjitha informacionet në lidhje me veprimtarinë e Sherifit, i akuzuar për terrorizëm.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka bërë të ditur se, i arrestuari 24-vjeçar Hysen Sherifi, veç të tjerash, është i akuzuar edhe se ka udhëtuar në Kosovë "për t‘u angazhuar në një xhihad të dhunshëm". Policia tha gjithashtu se ka mbledhur informacione në lidhje me Sherifin, por nuk i ka publikuar ato. Zëdhënësi i policisë, Besim Hoti, shpjegon se, ‘policia e Kosovës ka kryer të gjitha detyrimet që i ka pasur në aspektin e dhënies dhe marrjes së informacioneve me zyrtarët e qarqeve të ndryshme, për rastin në fjalë.

Edhe pse grupi është akuzuar se, veç Izraelit e Jordanisë, po përgatiste dhe planifikonte sulme terroriste edhe në Kosovë, autoritetet policore nuk janë të shqetësuara. Përmes zëdhënësit Hoti, policia thotë se Kosova nuk është e rrezikuar nga sulmet eventuale terroriste. "Nuk parashikohet ndonjë situatë shqetësuese. Nuk kemi indikacione për sulme të tilla të mundshme. Prandaj, qytetarët e Kosovës nuk kanë pse të shqetësohen për këtë", tha Hoti.

Por, ndryshe mendon Arben Qirezi, njohës i çështjeve të sigurisë. Ai thotë se Kosova, sikurse edhe shumë shtete tjera, nuk është imune ndaj terrorizmit global. Kjo, sipas tij, dëshmohet më tepër pas arrestimit të grupit të fundit në Karolinën Veriore.

Sipas tij, kur terrorizmi vepron globalisht, kur në celula të ndryshme terroriste janë të përfshirë nga vende të ndryshme dhe kur këto celula mund të krijohen e zhvillohen në vende të ndryshme, as Kosova nuk është dhe nuk mund të jetë imune nga rreziqet që i sjell terrori trans-nacional. "Mund të ketë edhe brenda në Kosovë njerëz me program dhe axhendë, që nuk janë në interes jo vetëm të Kosovës, por edhe të zhvillimit njerëzor, apo që përpiqen të fitojnë mendjen dhe zemrat e të rinjve në Kosovë", shprehet Qirezi. Ai mendon se shndërrimi i Kosovës në shënjestër të sulmeve terroriste ka dëme të shumanshme. "Bëhet fjalë për sulme ndaj interesave amerikane, por edhe për të komprometuar politikën amerikane nëpër botë, sepse ndonjë sulm i tillë do të ishte goditje e madhe jo vetëm për imazhin e Kosovës, por do të ngrinte pikëpyetje edhe në opinionin e brendshëm amerikan për politikën amerikane ndaj Kosovës", tha Qirezi.

Në anën tjetër, institucionet thonë se Kosova ka një politikë të qartë në luftën kundër terrorizmit, për zbatimin e së cilës bashkëpunojnë me të gjitha strukturat e sigurisë, si dhe me KFOR-in. Këshilltari në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Artan Duraku, thotë se kohë më parë qeveria ka miratuar strategjinë kundër terrorizmit dhe planin e veprimit. "Gjithashtu, jemi në ngritje të kapaciteteve të përditshme të mekanizmave shtetërorë që veprojnë në luftë kundër terrorizmit dhe, si dëshmi e ngritjes së këtyre kapaciteteve, para një jave janë dorëzuar të gjitha kompetencat e njësitit kundër terrorizmit nga EULEX-i te policia e Kosovës", tha Duraku.

Prania e organizatave joqeveritare, që promovojnë një vijë më radikale të islamizmit është vlerësuar nga disa raporte të mëparshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme si "e rrezikshme për vendin".

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Qirezi, mendon se në luftën kundër terrorizmit nuk duhet të fokusohen vetëm strukturat e sigurisë. Ai mendon se politikat sociale të qeverisë duhet të jenë më joshëse për të rinjtë e margjinalizuar, sesa organizatat me veprimtari të dyshimtë. "Qeveria dhe organizatat ndërkombëtare të punojnë në parandalimin që këto lloj organizatash radikale të arrijnë të rekrutojnë të rinj në mesin e tyre", theksoi Qirezi. Ngritja e plotë e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë, kompletimi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës janë parë si të domosdoshme në forcimin e luftës kundër terrorizmit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›