E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova pas GJND-së

Ilir Kalemaj

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drej-tësisë jepet sot përsa i përket mënyrës sesi mendohet të vendosë ky organ i drejtësisë ndërkombëtare, sikundër shprehet profesori i së drejtës ndërkombëtare, Christian Tomuchat: "Nuk mund ta paramendoj që GJND-ja të japë një votë negative. Atje me siguri që ka arsyeshmëri të mjaftueshme politike, por jam i bindur se ka edhe fakte të mjaftueshme juridike për vendimin e vendeve perëndimore, që të mbështesin Pavarësinë e Kosovës, sepse kosovarët kanë pasur të drejtën e vetëvendosjes dhe shkëputjes. " Vendimi për Kosovën pritet të jetë i balancuar, duke mos refuzuar si argumentat ligjore, ashtu edhe ata politike, të cilët nuk mund të konceptohen si të shkëputur në një rast si ky, që ka provokuar një debat të gjerë në lidhje me të drejtën ndërkombëtare dhe shumë parime të njohura të saj: si ai i territorialitetit, vetëvendosjes, të drejtave të njeriut, njohjes ndërkombëtare të shteteve etj. Megjithë balancën dhe gjuhën zakonisht,qëllimisht të paqartë, që shoqëron vendime të ngjashme nga trupa ndërkombëtare, përgjithësisht pritet vendimi për njohjen e Pavarësisë së shtetit të ri, të cilin deri tani e kanë njohur 65 shtete, që përfaqësojnë shtatë vendet më të industrializuara të botës, katër të pestat e Bashkimit Evropian, është pranuar në organizma prestigjiozë financiarë ndërkombëtarë si Banka Botërore dhe FMN, në institucione sportive ndërkombëtare si FIFA dhe Federata Botërore e Atletikës e kështu me rradhë... Por ç`mund të ndodhë në rast të një vendimi negativ në Hagë? E para, duhet thënë që vendimi i GJND-së nuk mund të bëjë apo të zhbëjë shtetin e ri të Kosovës. Nuk mund të flitet për sanksione apo të drejtë për të anulluar shpalljen e Pavarësisë. Vlera e tij është simbolike, por disa shtete kanë shprehur se mund të anullojnë vendimet e tyre të mëparshme për njohjen e Kosovës, në rast të një vendimi negativ në Hagë. Nullifikimi i akteve të mëparshme të njohjes, është një proces i pranuar përgjithësisht nga norma zakonore ndërkombëtare dhe ka ndodhur në raste analoge, si për shembull, rasti i Saharasë Perëndimore apo Tajvanit. E veçanta është se në këto raste ka ndodhur për arsye specifikisht politike dhe jo për shkak të ndonjë vendimi të GJND-së. Parë në këtë prizëm, mund të argumentojmë, që vendimi i GJND-së dhe efekti që do prodhojë është një situatë sui generis për vetë të drejtën ndërkombëtare dhe lidhjen e saj organike me proceset politike. Duhet theksuar, se rasti i Kosovës është jo vetëm specifik dhe përmbyll një proces të dhimbshëm, siç qe ai i shpërbërjes së Federatës Jugosllave, por gjithashtu korrigjon disa gabime të rëndësishme të bëra nga faktori ndërkombëtar, si në rastin e Konferencës së Dejtonit apo Komisionit Badinter. Vendimi i GJND-së ka për të qenë i rëndësishëm si për vetë Kosovën, ashtu dhe për të drejtën ndërkombëtare publike në përgjithësi; një vlerë juridike e shtuar që natyrisht do marrë në konsideratë edhe kontekstin politik. Gjithsesi, nuk jam i mendimit të artikuluar së fundmi nga eurodeputetja gjermane, Doris Pack, apo ai austriak Hannes Sëoboda, se çështja e Kosovës mbetet e pazgjidhur për aq kohë sa nuk është marrë vendimi i Hagës dhe se "askush nuk e di cili do jetë rezultati dhe se çfarë do ndodhë më pas." Efektet e një vendimi negativ të opinionit këshillues të GJND-së, përsa i përket legjitimitetit të shkëputjes dhe krijimit të shtetit të ri, mund të kenë rrjedhoja vetëm në prizmin politik të fjalës, për shembull të sjellin një frenim të njohjeve të reja. Në rastin më të keq, disa prej shteteve që e kanë njohur tashmë Kosovën, por kanë dhënë indicie se mund të ndryshojnë qëndrim të kushtëzuar nga vendimi i GJND-së, mund ta sjellin situatën e Republikës së Kosovës drejt një 'statusi të ngrirë', i cili do vazhdojë të jetë i tillë deri në gjendjen e një kompromisi të negociuar, ndoshta në një tryezë të rrumbullakët të grupit të kontaktit dhe me pjesëmarrje edhe të Serbisë.
Por gjasat janë që vendimi i GJND-së të jetë ose në favor të Republikës së Kosovës, duke respektuar të drejtën e vetëvendosjes ose minimalisht, një vendim ambivalent, në përputhje me formulën e Ahtisaarit dhe Deklaratën e Pavarësisë së shtetit të ri, që është brenda kornizës së Rezolutës 1244, apo më saktë një evoluim i natyrshëm prej saj. Kjo, duke marrë parasysh edhe vendimarrjen e Rambujesë, e cila qartazi specifikonte dhe një referendum mbarëkombëtar për statusin, mbas një moratoriumi 3-vjeçar të mbikqyrur nga bashkësia ndërkombatëre. Një tjetër aspekt i rëndësishëm, që nuk mund kurrsesi të neglizhohet, është parimi i utis possidetis në kontekstin aktual të Ballkanit Perëndimor. Në rast se GJND-ja do vendosë pro legalitetit të shkëputjes së Kosovës dhe njohë ekzistencën dhe sovranitetin e shtetit të ri kosovar, Serbia ka konfirmuar se do ndjekë të gjitha metodat juridike dhe politike, që të arrijë të sigurojë një ndarje të "drejtë" të territorit ekzistues të Kosovës, sipas saj. Parimi i ndarjes apo i shkëmbimit të territoreve, duke ofruar territor në jug te Serbisë (që përfshin Preshevë- Bujanovc në këmbim të Mitrovicës së Veriut), është artikuluar herë pas here, ndonëse e kundërshtuar fuqishëm nga pala shqiptare dhe aleatët strategjikë perëndimorë. Mendoj, se kjo do shërbente si një precedent mjaft i rrezikshëm, i cili në mënyrë të pakthyeshme mund të çonte në hapjen e 'kutisë së Pandorës' dhe kërkimin e ndryshimit të kufijve ekzistues të shteteve të tjerë. Njohja universale e Kosoves shtet, në kuptimin klasik të shtet-kombit me sovranitet të plotë dhe jo të mbikëqyrur, është veçanërisht i rëndësishëm për dy arsye kryesore: së pari, përmbyll kapitullin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ku demostratat e 1981-shit në Kosovë ishin të parat që e hapën dhe garanton paqe, stabilitet dhe bashkëpunim, në baza partneriteti, në një rajon që ka njohur kriza dhe luftëra të njëpasnjëshme në dy dekadat e tranzicionit. Së dyti, shërben si një precedent me mjaft vlerë për të drejtën ndërkombëtare publike, duke garantuar legjitimitetin e shkëputjeve të tilla, në rast se do të ketë në të ardhmen. Rasti i Kosovës është klasik në vetvete, duke qenë se përmban brenda edhe elementin e vetvendosjes, edhe atë të së drejtes historike, duke legjitimuar shkëputjen dhe formalizimin e njohjes së shtetit të ri në arenen ndërkombëtare. Njohja nga ana e gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe dhënia e një vendimi pa ekuivoke, shërben edhe për qartësimin e normave ligjore dhe kodifikimin më të plotë të këtij kapitulli në të drejtën ndërkombëtare publike, duke i dhënë më tepër koherencë "corpus legali" dhe përmisuar infrastrukturën shpesh kaotike të njohjes ndërkombëtare. Në cilindo rast, shpreh bindjen se procesi i njohjes së Kosoves si shtet sovran dhe i pavarur dhe anëtarësimi i saj në organizmat dhe institucionet ndërkombëtare, është një proces që nuk ka prapa-kthehu. Njohja e 'gjendjes në terren' dhe përputhshmëria "de jure" e asaj që ekziston "de facto", do konsolidonte bazat juridike, por edhe legjitimonte, politikisht një proces ku faktori dhe faktorët ndërkombëtarë nuk kanë qenë indiferentë dhe do shërbente si një gur themeli për procese te ngjashme në të ardhmen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›