E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kutitë, dështojnë negociatat PD-PS



Aristir Lumezi

PD e PS nuk arrijnë asnjë kompromis përsa i përket fletëve të votimit. Në takimin e dytë mes krerëve të grupeve parlamentare, Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi, kompromisi ka ngecur pikërisht te kutitë e votave të 28 qershorit. Ndërkohë, marrëveshja e vetme e takimit të mbrëmshëm duket se ka të bëjë me heshtjen për shtyp, lidhur me rezultatet e këtyre bisedimeve.
Bisedimet
Kreu i grupit parlamentar të maxhorancës dhe ai i opozitës, u takuan dje sërish në zyrat e kryesisë së Kuvendit, një javë pasi zhvilluan takimin e parë mes tyre. I pari që iu drejtua zyrës në katin e dytë të selisë së kryesisë, ishte Astrit Patozi, i cili mbërriti në orën 17:50, ndërsa 3 minuta më vonë, erdhi edhe kreu i grupit të opozitës, Gramoz Ruçi, i cili ndryshe nga kolegu i tij demokrat, preferoi ta parkonte makinën jashtë derës kryesore të kryesisë. Takimi mes tyre zgjati rreth 60 minuta, por ndryshe nga takimi i parë, këtë herë të dy negociatorët ranë dakord për të mos folur publikisht për mediat. Si për t’i qëndruar deri në fund këtij premtimi, ata zgjodhën për të dalë nga dera që të nxjerr në bulevardin përballë Kryeministrisë, për të shmangur në këtë mënyrë kontaktin me gazetarët. I pari që doli nga ky takim, ishte kreu i grupit demokrat, Astrit Patozi, ndërkohë që rreth orës 19:35 minuta u largua edhe Ruçi.
Negociatat
Megjithëse të dyja palët kanë qenë të vendosura mbrëmë për të mos dhënë detaje nga ky takim, mësohet se konsensusi i tyre “ngec” te fletët e votimit. Në këtë pikë, si Partia Demokratike dhe Partia Socialiste vazhdojnë të mbajnë qëndrimet e tyre fillestare, duke i vështirësuar më tej bisedimet. Burime të rezervuara nga takimi i dytë Patozi- Ruçi, bënë të ditur mbrëmë për gazetën, se kreu i grupit të opozitës ka kërkuar që dy forcat politike të ngrenë fillimisht komisionin hetimor për të nisur me hetimin e materialeve zgjedhore dhe më pas të negociohet për fletët e votimit. Në këtë pikë, Ruçi ka propozuar sërish qëndrimin e opozitës, që të dyja forcat politike t’i drejtohen komisionit të Venecias për të interpretuar nëse ka hapësira ligjore, që Parlamenti të marrë në hetim një çështje, për të cilën ka dhënë më parë një vendim gjykata. Por qëndrimi i maxhorancës ka qenë kategorik kundër këtij propozimi. Burimet bëjnë të ditur, se kreu i grupit demokrat, Astrit Patozi, ka kërkuar që fillimisht të përcaktohen qartë termat e objektit të hetimit nga komisioni hetimor, deri në çfarë mase dhe niveli do të shtrihet ky hetim dhe më pas të ngrihet komisioni. Pasi kanë shprehur qëndrimet e kundërta lidhur me çështjen e fletëve të votimit, dy krerët e grupeve kuvendore kanë rënë dakord që të vazhdojnë negociatat për të bërë të gjitha përpjekjet e mundshme, që të arrijnë një marrëveshje deri përpara seancës së 26 korrikut, e cila është parashikuar nga konferenca e kryetarëve, si seanca e fundit për këtë sesion punimesh. Megjithatë, nëse pakti mes PD-së e PS-së arrihet, ai mund të konkretizohet në Parlament edhe në fund të muajit korrik, kur në varësi të diskutimit të buxhetit në komisionet parlamentare, mund të zhvillohet një seancë tjetër në 29 korrik për miratimin në tërësi të ligjit të ri financiar. Negociatat mund të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme në Parlament, ku për shkak të rendit të ngjeshur pritet të ketë një seancë maratonë.

Komisioni i Venecias
Njësoj si në takimin e parë, edhe në takimin e dytë mes krerëve të dy grupeve parlamentare, është prekur çështja e Komisionit të Venecias. Por ajo që la pa kompromis këtë pikë ishte se kush prej forcave politike duhet t’i drejtohet këtij komisioni. Partia Socialiste propozoi që të ngrihet fillimisht komisioni hetimor, i cili do të hetojë materialet zgjedhore dhe më pas të vendoset mënyra se si do t‘i drejtohet komisionit të Venecias. Nga ana e saj, PD-ja i qëndron mendimit se në fillim duhet të përcaktohen termat e hetimit dhe më pas të ngrihet komisioni hetimor. Lidhur me Komisionin e Venecias, PD-ja propozon që këtij institucioni t‘i drejtohet opozita, e cila ka edhe dyshime për zgjedhjet e 28 qershorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›